Këshillat e arta të yllit britanik të filmit, 90-vjeçares, Judi Dench

Këshillat e urta të Judi Dench, një prej ikonave më të ndritura të kinemasë britanike, shndrisin jo vetëm për thellësinë e mendimit, por edhe për dritën e një përvoje të gjatë, dinjitoze dhe fisnike. Në moshën 90-vjeçare, ajo vjen me një testament mençurie që tejkalon skenën dhe kamerën, për t’u bërë një guidë e butë, por e fortë për jetën e secilit prej nesh.

“Mos i jep përparësi pamjes miku im,” këshillon Dench. “Ajo nuk do të zgjasë gjithë udhëtimin tënd.” Dhe me këtë, ajo na kujton se e përkohshmja është vetëm një hije që tretet, ndërsa brenda nesh, me moshën, lulëzojnë gjëra më të thella: humori që rafinohet, intuita që zgjerohet si një mantel i butë mençurie, aftësia për të zgjedhur betejat me qartësi kirurgjikale, dhe qetësia që na lejon të jemi të pranishëm në këtë moment, e vetmja kohë reale që zotërojmë.

Ajo flet për një dëshirë të re që lind me vitet: të jetosh çdo çast, të përqafosh atë që është thelbësore dhe të mos humbasësh në ndjekjen e gjërave që janë “vetëm trishtime dhe zhgënjime.” Me një elegancë poetike, Dench thotë se instinkti ynë për të dalluar çfarë, dhe kush, meriton kohën tonë, rritet e degëzohet si një dredhkë mbi muret e lashta të një kështjelle.

“Jepni përparësi atyre që ju bëjnë unik,” thotë ajo, “atij magneti të padukshëm që tërheq shpirtra të tjerë që vallëzojnë në të njëjtën orbitë.” Sepse janë pikërisht këto vlera, autenticiteti, sensi i brendshëm i humorit, mençuria që vjen me të jetuarit, që vetëm sa thellohen me kalimin e kohës.

Judi Dench nuk është vetëm një zë i urtësisë, por edhe një nga aktoret më të mëdha që Britania ka dhënë ndonjëherë. Me një karrierë që kapërcen gjashtë dekada, ajo numëron 141 role, secili i luajtur me intensitet, finesë dhe një ndjeshmëri të rrallë artistike. Çmimet që ka fituar, nga Oscar-i tek BAFTA-t, nga Golden Globe te Olivier Awards, nga Tony te vlerësimet e akademive televizive, nuk janë veçse dëshmi të mjeshtërisë së saj, të një pune që ka lënë gjurmë në çdo skenë dhe ekran ku ka shkelur.

Sot, në prag të një shekulli jete, Judi Dench nuk jep më thjesht këshilla, por lëshon një testament shpirtëror: një ftesë për ta parë rritjen si dhuratë, për ta shijuar kohën si mrekulli, dhe për ta ruajtur thelbin tonë si gjënë më të çmuar që mbetet, teksa gjithçka tjetër ndryshon.

Përgatiti: Albert Vataj