Plani për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë/ Rubio këmbëngul: Plani i paqes për Ukrainën është amerikan, jo rus

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, këmbënguli se plani për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë, i shpallur këtë javë ishte hartuar vërtet nga SHBA-të dhe nuk pasqyronte thjesht kërkesat ruse, siç janë ankuar senatorët amerikanë. Sekretari i Shtetit, i cili pritet sot në Gjenevë për bisedime me zyrtarë evropianë dhe ukrainasë, hodhi poshtë kështu atë që thanë tre senatorë amerikanë, sipas të cilëve teksti mbështet plotësisht kërkesat ruse.

“Propozimi i paqes u hartua nga Shtetet e Bashkuara. Teksti ofron një kornizë të fortë për negociatat e vazhdueshme. Ai bazohet në elementë të kontribuar nga pala ruse, si dhe në kontributet e mëparshme dhe të vazhdueshme nga Ukraina”, shtoi ai.

Mediat e huaja shkruajnë se zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott tha nëpërmjet X, duke reaguar ndaj deklaratave të tre anëtarëve të Senatit se ajo që ata pretendonin ishte thellësisht e rreme. Tre anëtarët e dhomës së sipërme të SHBA-së  republikani Mike Rounds, i pavaruri Angus King dhe demokratja Jeanne Shaheen pretenduan se Marco Rubio u tha atyre se dokumenti nuk shpreh qëndrimet zyrtare të SHBA-së, është thjesht një pikënisje për bisedime, që përmban një listë dëshirash ruse.

“Sekretari Rubio na telefonoi këtë pasdite. Mendoj se na e bëri shumë të qartë se ne ishim marrës të një propozimi që u dërgua nga një prej përfaqësuesve tanë. Ky nuk është rekomandimi ynë. Ky nuk është plani ynë i paqes”, tha senatori Rounds.

Rubio pritet në Gjenevë sot, së bashku me të dërguarin diplomatik të Presidentit Donald Trump, Steve Witkoff, për bisedime me ukrainasit dhe evropianët, të cilët nuk e kanë fshehur shqetësimin e tyre në lidhje me planin 28-pikësh. Dokumenti përsërit kërkesat kryesore të Moskës, në veçanti cedimin e territorit ukrainas ndaj Rusisë, zvogëlimin e madhësisë së ushtrisë së saj, braktisjen përfundimtare të përpjekjes për t'u bashkuar me NATO-n. Ai gjithashtu ofron garanci sigurie perëndimore për Kievin për të parandaluar çdo sulm të ri rus.