DËNOHET ISH-KRYEBASHKIAKJA FILIPINASE/ Akuzohet për trafik njerëzor dhe spiunazh pro Kinës

Ish-kryebashkiakja e Bambanit, Alice Guo, është dënuar me burgim të përjetshëm në Filipine. Ajo u shpall fajtore për trafikim njerëzor, pasi drejtoi një qendër mashtrimi online me qindra të shfrytëzuar. Guo përballet edhe me pesë procese të tjera, përfshirë akuzat për pastrim parash dhe spiunazh për Kinën.

Filipinet tronditen nga një vendim historik, ish-kryebashkiakja Alice Guo dënohet me burgim të përjetshëm për trafikim njerëzor.

35-vjeçarja, e akuzuar edhe për spiunazh në favor të Kinës, u shpall fajtore për drejtimin e një nga qendrave më të mëdha të mashtrimit online në vend. Gjykata urdhëroi edhe një gjobë prej 2 milionë pesos.

Në qytetin Bamban, policia shpëtoi rreth 800 persona  filipinas dhe të huaj  të detyruar të kryenin mashtrime financiare të njohura si ‘kasaphana e derrave’, skema që manipulon viktimat për t’u zhvatë pasuritë.

Qendra ishte e maskuar si një platformë e lojërave të fatit, e tipit Pogo, që operon kryesisht për klientë në Kinën kontinentale, ku bixhozi është i ndaluar.

Autoritetet thonë se struktura e mashtrimit ka pasur lidhje ndërkombëtare dhe dyshojnë se Guo ka bashkëpunuar me rrjete kriminale kineze. Ajo i mohon akuzat, ndërsa përballet me pesë gjyqe të tjera, përfshirë pastrimin e parave dhe spiunazhin.

E zgjedhur në vitin 2022, Guo shihej si udhëheqëse e re dhe premtuese. Por arrestimi i saj ka shokuar qytetarët, që sot kërkojnë llogari se si mashtrimi gjigant u fsheh nën administratën e saj.

Me dënimin e saj, qeveria filipinase premton të shtrëngojë kontrollin ndaj Pogo-ve ndërsa hetimet pritet të zbulojnë emra të tjerë të përfshirë.