CDC RINDEZ DEBATIN/ Ndryshon formulimin për lidhjen mes vaksinave dhe autizmit: Disa studime janë “injoruar”

CDC ka ndezur debat kombëtar në ShBa pasi përditësoi faqen e saj zyrtare duke deklaruar se pretendimi “vaksinat nuk shkaktojnë autizëm” nuk është i bazuar në prova. Ndryshimi vjen në një moment kur figura politike si Robert F. Kennedy Jr. dhe Donald Trump promovojnë teori që bien ndesh me konsensusin shkencor.

Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA (CDC) ka bërë një përditësim të pazakontë në faqen e saj zyrtare, duke ndezur debat të gjerë publik dhe politik mbi çështjen shumëvjeçare të vaksinave dhe autizmit.

Në tekstin e ri, CDC shkruan se pretendimi “vaksinat nuk shkaktojnë autizëm” nuk është “i bazuar në prova”, duke argumentuar se studimet ekzistuese “nuk e kanë përjashtuar plotësisht” mundësinë e një lidhjeje të tillë.

Agjencia shton se disa studime që pretendojnë lidhje mes vaksinave dhe autizmit janë “injoruar” nga autoritetet shëndetësore.

Ky ndryshim vjen në një kohë kur figura të njohura politike si sekretari amerikan i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., dhe presidenti Donald Trump kanë promovuar prej kohësh teori që bien ndesh me konsensusin shkencor, duke pretenduar një lidhje mes vaksinave të fëmijëve dhe autizmit.

Organizata antivaksinë “Children’s Health Defense”, dikur e drejtuar nga Kennedy, e ka përshëndetur ndryshimin, duke e cilësuar si një “mohim të gënjeshtrës shumëvjeçare” se vaksinat nuk shkaktojnë autizëm.

CDC ndërkohë ka mbajtur të pandryshuar titullin “Vaksinat nuk shkaktojnë autizëm”, duke theksuar se mbetet në faqe për shkak të një marrëveshjeje me senatorin Bill Cassidy, kryetarin e Komitetit të Senatit për Shëndetësinë.

Pavarësisht debatit të ri të hapur, komuniteti shkencor vazhdon të nënvizojë se deri më sot, asnjë studim rigoroz nuk ka gjetur lidhje shkak-pasojë mes vaksinave dhe autizmit, apo mes autizmit dhe përbërësve si timerosali, formaldehidi apo përdorimi i medikamenteve gjatë shtatzënisë.

Autizmi mbetet një gjendje neurozhvillimore me origjinë komplekse, që shfaqet në mënyra të ndryshme te fëmijët dhe të rriturit, ndërsa shkaqet e tij vijojnë të jenë objekt studimi nga komuniteti mjekësor.

Ndryshimi i gjuhës nga CDC pritet të nxisë debate të mëtejshme mes ekspertëve të shëndetit publik, politikës dhe grupeve pro e kundër vaksinimit, ndërsa çështja mbetet një nga temat më të ndjeshme në shëndetin publik amerikan.