KOLEKSIONI/ Gogu në ekspozitën e 100 Biblave: Mirënjohje atyre që i mbrojtën duke u sakrifikuar
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu mori pjesë në hapjen e ekspozitës “Koleksioni i Biblave”, ku për herë të parë ekspozohen mbi 400 Bibla të rralla, të shtypura në disa prej qendrave më të rëndësishme evropiane të botimit: Itali, Francë, Gjermani, Holandë, Greqi e më gjerë, nga mesi i shekullit XV deri në shekullin XIX.
Ministri Gogu ndau përvojën e tij personale si anëtar i Shoqërisë Biblike Ndërkonfesionale të Shqipërisë në fillimin e viteve 2000, ku priftërinj katolikë, ortodoksë dhe pastorë protestantë punuan mbi të njëjtin tekst biblik, duke krijuar përkthimin unik “Së bashku”.
Gogu e quajti këtë bashkëpunim si shembull të rrallë të harmonisë ndërfetare dhe të një procesi që e ka bërë Shqipërinë model në familjen e shoqërive biblike.

Ministri Gogu solli në vëmendje edhe periudhën e errët të ndalimit të teksteve fetare gjatë diktaturës, kur Bibla u bë libër i ndaluar dhe njerëzit burgoseshin vetëm pse zotëronin një kopje.
“Libri i parë i shqipes sonë të shkruar u bë edhe libër i ndaluar nga vitet, ’67-a në ’90-ën. Më kujtohet historia e një mësuesi matematike të nderuar në Berat, që u burgos vetëm se i gjetën Ungjillin në shtëpi”, u shpreh Toni Gogu gjatë vizitës së ekspozitës.
Ministri vijoi duke shprehur mirënjohjen ndaj përkthyesve që kanë sakrifikuar jetën e tyre për t’i sjellë këto tekste në shqip, ndaj atyre që i ruajtën në fshehtësi dhe ndaj specialistëve që sot i restaurojnë.

Në përmbyllje, ministri nënvizoi se kjo ekspozitë është një udhëtim i veçantë në historinë e gjuhës dhe kulturës shqiptare, një ftesë për të gjithë: besimtarë, ateistë, agnostikë e njerëz të çdo rrugëtimi shpirtëror, sepse Bibla është edhe një libër ligji, prej të cilit kanë marrë arti, muzika etj", u shpreh ministri Gogu.
EKSPOZITA
Biblioteka Kombëtare ka hapur te merkuren ekspozitën “Koleksioni i Biblave”.

Në këtë ekspozitë shfaqen për publikun rreth 100 Bibla të rralla dhe 452 materiale me karakter biblik, të shtypura nga shekulli XV–XIX në Itali, Francë, Gjermani, Holandë, Greqi e më gjerë, së bashku me dorëshkrime dhe përkthime historike nga Buzuku, Budi, Bogdani, Kristoforidhi, Qiriazi, Fan Noli e Dom Simon Filipaj.
Në vijim të ciklit të ekspozitave që zbulojnë thesaret e fshehura të fondit të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, hapet për publikun “Koleksioni i Biblave”, një udhëtim i rrallë në botën e librave të shenjtë dhe dorëshkrimeve që kanë shënuar shekuj kulture.

Ekspozita është e ndarë në dy pjesë. Në pjesën e parë ekspozita sjell për herë të parë pranë publikut një numër mbresëlënës Biblash të rralla, mbi 100 të tilla, të shtypura në Itali, Francë, Gjermani, Holandë, Greqi e më gjerë, që datohen nga mesi i shekullit XV deri në shekullin XIX, së bashku me dorëshkrime me pjesë të Shkrimeve të Shenjta.

Pjesa e dytë ka të bëjë me përkthimet e Bibës prej Buzukut, Budit e Bogdanit, mandej rilindësve dhe figurave të mëdha, si: Kristoforidhi, Qiriazi, Fan Noli e Dom Simon Filipaj, deri tek përpjekjet e Shoqërisë Biblike Angleze në shekullin XIX, kjo ekspozitë ndërthur historinë, kulturën dhe trashëgiminë tonë të shkruar.


