SHPËRTHIM VULLKANIK NË INDONEZI/ Ngrihet alarmi për banorët e zonës, shihni pamjet

Në Java Lindore të Indonezisë ka shpërthyer vullkani Semeru këtë mesditë e së mërkurës, duke detyruar autoritetet të ngrenë nivelin më të lartë të alarmit vullkanik për banorët.

Ndërkaq, Agjencia kombëtare e vullkanologjisë ka njoftuar se shpërthimi ka hedhur një sasi të madhe hiri deri në 3,600 metra mbi majën e malit.

Gjë që krijon rrezik të drejtëpërdrejtë për banorët e zonës.

Ndër të tjera, autoritetet u kanë kërkuar banorëve të mbajnë minimumi 2.5 km distancë nga zona vullkanike, pasi pritet të ketë reshje të nxehta hiri, të shoqëruara me përzierje shkëmbinjsh, lavash dhe gazrash vdekjeprurës, të cilat raportohen se kanë rrëshqitur deri në 7 km përgjatë shpateve të malit.

Shërbimi Gjeologjik Indonezian raportoi se shpërthimi krijoi “ortekë” hiri të nxehtë që përbëjnë rrezik serioz për jetën dhe pronën në zonë.

Semeru, me më shumë se 3,600 metra lartësi, është vullkani më i lartë i ishullit të Javas dhe një nga rreth 130 vullkanet aktive në Indonezi. Ky vullkan ka pasur aktivitet të përsëritur, ndërsa shpërthimi i vitit 2021 shkaktoi vdekjen e të paktën 57 personave.