OBSH SHKURTON STAFIN/ Largimi i SHBA-ve nga organizata detyron largimin e fuqisë punëtore
Organizata Botërore e Shëndetësisë pritet të shkurtojë gati një të katërtën e fuqisë punëtore globale deri në mesin e vitit të ardhshëm, pas reformave të detyruara nga largimi i Shteteve të Bashkuara, donatori më i madh i institucionit. OKB konfirmon se mbi 2,300 vende pune do të zhduken deri në qershor 2026.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar reduktimin më të madh të stafit në dekada, teksa parashikon që fuqia punëtore të bjerë nga 9,401 punonjës në janar të 2025-s, në afro 7,000 deri në mesin e vitit 2026.
Largimi i administratës së Presidentit Donald Trump nga organizata dhe ndërprerja e kontributit financiar prej 18% të buxhetit total kanë detyruar WHO-në të hyjë në një proces të thellë ristrukturimi.
Zyrtarët konfirmojnë se shkurtimeve i shtohen edhe qindra kontrata të përkohshme e konsulentë të larguar gjatë muajve të fundit.
Në një mesazh të dërguar stafit, Drejtori i Përgjithshëm Tedros Adhanom Ghebreyesus e ka quajtur vitin aktual “një nga më të vështirit në historinë e OKB-s”, duke shtuar se procesi i riorganizimit po hyn në fazën përfundimtare.
Dokumentet e paraqitura shteteve anëtare tregojnë se organizata përballet me një mungesë prej 1.06 miliardë dollarësh në buxhetin dyvjeçar 2026–2027 – gati një të katërtën e fondeve të nevojshme. Kjo shifër ishte edhe më e lartë në maj, kur hendeku financiar llogaritej 1.7 miliardë dollarë.
Zyrtarët theksojnë se pjesa e buxhetit të pa financuar është ulur falë zvogëlimit të buxhetit total, një fushate të re të mbledhjes së fondeve dhe rritjes së tarifave të detyrueshme të shteteve anëtare.
Me riorganizimin e thellë në vazhdim dhe presionin financiar në rritje, OKB synon të dalë me një strukturë më të vogël, por më funksionale. Ndërkohë, shumë shtete anëtare mbeten të shqetësuara për ndikimin që shkurtime të tilla mund të kenë në kapacitetin global të reagimit shëndetësor.

