Publikimi i dosjeve të Epstein pret firmën e Trump pas miratimit nga Kongresi

Të dyja dhomat e Kongresit amerikan kanë votuar për t’i kërkuar Departamentit të Drejtësisë të publikojë dosjet e tij lidhur me financuesin Jeffrey Epstein, i akuzuar për trafikim seksual të të miturve.

Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi masën me një shumicë dërrmuese prej 427 votash pro dhe vetëm 1 kundër, ndërsa Senati e kaloi unanimisht përmes procedurës së pëlqimit unanim, pa debat dhe pa amendamente.

Votimi vjen disa ditë pasi Presidenti Donald Trump ndryshoi qëndrim dhe i kërkoi Kongresit të mbështeste publikimin e dosjeve, pasi u përball me presion të madh publik, përfshirë edhe nga mbështetësit e tij.

Kjo temë u rikthye fuqishëm në qendër të vëmendjes javën e kaluar, kur u publikuan mbi 20 mijë faqe dokumentesh që përfshinin referenca edhe për Trumpin. Shtëpia e Bardhë ka mohuar çdo përfshirje të tij në ndonjë shkelje.

I vetmi kundërshtar në Dhomën e Përfaqësuesve, republikani Clay Higgins nga Luiziana, tha se publikimi mund të dëmtonte "njerëz të pafajshëm".

Ndryshimi i beftë i Trump nga kundërshtimi i publikimit në deklaratën se ai “s’ka asgjë për të fshehur” suprizoi shumë ligjvënës. Udhëheqësit republikanë, të cilët deri para pak ditësh e quanin nismën “mashtrim të demokratëve”, tashmë votuan pro saj. Madje edhe kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, që më parë ishte kundër, votoi këtë herë në mbështetje të projektligjit.

Projektligji i miratuar kërkon që Prokurorja e Përgjithshme, Pam Bondi, të publikojë brenda 30 ditëve “të gjitha materialet e paklasifikuara”, përfshirë komunikime të brendshme, regjistrat e fluturimeve dhe dokumente të tjera hetimore për Epstein dhe bashkëpunëtoren e tij, Ghislaine Maxwell. Megjithatë, Bondi ka të drejtë të mbajë të fshehta informacionet që rrezikojnë hetimet aktive ose që mund të zbulojnë identitetin e viktimave.

Epstein u gjet i vdekur në qelinë e tij në New York në vitin 2019, në atë që u cilësua vetëvrasje nga mjekët ligjorë. Në kohën e vdekjes, ai po hetohej për trafikim seksual, ndërsa më 2008 ishte dënuar për nxitje prostitucioni me një të mitur.

Gjatë hetimeve u grumbulluan mijëra dokumente, përfshirë intervista me viktima e dëshmitarë. Trump pranon se e ka njohur Epsteinin, por thotë se i ka ndërprerë kontaktet me të shumë vite para dënimit të vitit 2008 dhe mohon të ketë ditur ndonjëherë për aktivitetet e tij kriminale.

Javën e kaluar, demokratët e Komitetit Mbikëqyrës publikuan tre zinxhirë emailesh, përfshirë korrespondencë mes Epstein dhe Maxwell, e dënuar me 20 vjet burg. Një nga email-et i vitit 2011 e përmend Trumpin, por viktima e përmendur — Virginia Giuffre, e cila vdiq në prill — kishte deklaruar se Trumpi nuk ka qenë i përfshirë në abuzime.

Sky Roberts, vëllai i Giuffre-s, vlerësoi motrën e tij për përpjekjet për të ndihmuar të mbijetuarit të dalin hapur dhe të kërkojnë drejtësi.

Shtëpia e Bardhë i cilësoi email-et një “rrjedhje selektive” të demokratëve me synimin për të “krijuar një narrativë të rreme për të njollosur Presidentin Trump”.

Nisma për publikimin e dosjeve u udhëhoq nga republikani Thomas Massie dhe demokrati Ro Khanna, të cilët e prezantuan bashkë projektligjin. Massie është kritikuar nga Trump, por ai ka thënë se “askush nuk duhet të votojë për të mbrojtur pedofilët”.

Një nga përkrahëset më të zëshme të publikimit ka qenë Marjorie Taylor Greene, e cila tashmë është përplasur publikisht me Trumpin për këtë çështje. Ajo e quajti debatin për Epstein një nga “çështjet më përçarëse” brenda lëvizjes “Make America Great Again”.

Të mbijetuar të Epstein-it, përfshirë Annie Farmer, kërkuan që dosjet të bëhen publike sa më shpejt, duke e quajtur mos-zbulimin e tyre “tradhti institucionale”.