“Paqja fiskale” që fshin borxhet/ Ministri i Financave: Nuk është amnisti, zhduk 20% të borxhit tatimor
Paketa Fiskale parashikon fshirjen e detyrimeve tatimore dhe doganore mbi 10 vite, që përfshin 202 mijë tatimpagues, ndërsa Ministria e Financave mohon që kjo të jetë amnisti. Nga 2026-a hyjnë në fuqi masa të reja, përfshirë kompensimin 10% të TVSH për fermerët, rivlerësimin e pronave dhe kufizime ndaj pagesave CASH.
Gati 1 miliard euro borxhe të bizneseve do të hiqen nga regjistrat shtetërorë me hyrjen në fuqi të projektligjit për fshirjen e detyrimeve tatimore dhe doganore më të vjetra se 10 vite, si pjesë e Paketës Fiskale.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, gjatë prezantimit në Kuvend të skemës dhe përfituesve, tha se në total janë 202 mijë tatimpagues që nuk kanë shlyer detyrimet dhe mbi 60% e tyre rezultojnë pasivë.
“Borxhi i krijuar para vitit 2014 është 100 miliardë lekë — që prej viteve ’90 deri në 2014-ën. Ndërsa në fund të vitit 2024 borxhi ka arritur në 160 miliardë lekë. Do të përfitojnë 202 mijë tatimpagues që rezultojnë me borxhe.”
Përveç fshirjes së plotë të detyrimeve mbi 10 vite të papaguara, projektligji parashikon edhe falje të detyrimeve më të reja, por me kusht që tatimpaguesi të paguajë një pjesë të tyre. Në falje nuk përfshihen detyrimet e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Ministri deklaroi se do të përfitojnë të gjithë tatimpaguesit, përveç atyre që janë në proces hetimor ose gjyqësor, ndërsa theksoi se kjo nuk është amnisti fiskale.
Malaj theksoi se Marrëveshja e Paqes Fiskale, e cila do të zbatohet për periudhën 2026–2028, synon nxitjen e deklarimeve të rregullta për bizneset që dëshirojnë të përfshihen në këtë marrëveshje vullnetare.
“Nuk është amnisti”
Duke mbrojtur 8 projektligjet e Paketës Fiskale 2026, kreu i financave tha se ato nuk rrisin taksat, por përmirësojnë marrëdhëniet mes tatimpaguesve dhe administratës tatimore, duke parashikuar kompensim të TVSH për fermerët dhe ulje të barrës tatimore për familjet.
Ministri Malaj njoftoi se nga 1 janari 2026 do të hyjnë në fuqi ndryshimet e çmimeve të referencës në rrethe, si edhe projektligji për rivlerësimin e pronave me tatim të reduktuar.
Paketa Fiskale parashikon gjithashtu rikthimin e kompensimit 10% të TVSH-së për fermerët, me kusht që produktet të shiten me faturë tek grumbulluesit dhe përpunuesit, si dhe masa të reja kundër informalitetit, përfshirë kufizimin e pagesave CASH.
Ministri Malaj deklaroi se vitin e ardhshëm, nga kompensimi i shpenzimeve për fëmijët nën 18 vjeç përmes deklaratës DIVA, efekti financiar llogaritet 15 milionë euro.
Projektligjet e paketës janë miratuar në parim dhe në tërësi në Komisionin e Ligjeve.
