Prodi paralajmëron Botën: Demokracitë dobësohen, ndërsa populizmi ngrihet dhe Evropa humbet influencën

Ish-kryeministri italian Romano Prodi analizon zhvillimet politike botërore, nga Meloni e deri te Trump dhe Xi Jinping, duke paralajmëruar se Evropa po humbet ndikimin e saj historik. Në një intervistë për “Corriere della Sera”, Prodi komenton krizën e përfaqësimit politik, rritjen e populizmit dhe rrezikun që, sipas tij, vjen nga radikalizimi i ri global.

Ish-kryeministri i Italisë, Romano Prodi,në një intervistë për “Corriere della Sera” ka analizuar situatën politike botërore, duke kritikuar si qeveritë konservatore, ashtu edhe modelet e reja radikale që po shfaqen në politikë.

Prodi u ndal fillimisht tek fenomeni i përfaqësimit të majtë në SHBA, ku emri i Zohran Mamdanit po përmendet si model i ri progresist. Por sipas Prodit, entuziazmi nuk duhet ekzagjeruar.

Prodi: “Mamdani ka bërë gjëra interesante, por nuk është modeli revolucionar që kërkon e majta. Sfida reale është reforma konkrete, jo slogani radikal.”

Sipas tij, demokracitë perëndimore po humbasin teren përballë pabarazisë ekonomike, ndërsa politika radikale nuk po prodhon rezultate të qëndrueshme. Prodi kritikon edhe qeverinë Meloni, duke e konsideruar mbështetjen ndaj Trump-it një rrezik gjeopolitik për Italinë dhe Evropën.

Prodi: “Trump po shkakton alarm demokratik. Edhe më shqetësuese është që disa liderë evropianë po afrohen me të, duke e dobësuar bashkimin europian.”

Ish-kryeministri Italian, gjatë intervistës thekson edhe një problem më të madh: mungesën e peshës së Evropës në arenën ndërkombëtare, sidomos krahasuar me SHBA-në dhe Kinën. Sipas tij, vendet evropiane janë paralizuar nga mekanizmi i unanimitetit dhe mungesa e strategjisë së përbashkët.

Prodi: “Evropa ka humbur ndikimin. Sot jemi të pafuqishëm përballë SHBA-së dhe Kinës, sepse nuk dimë të veprojmë si një bllok i vetëm.”

Në fund, Prodi paralajmëron se opinioni publik po lodhet nga luftërat dhe pasiguritë ekonomike, duke u bërë më i prekshëm ndaj populizmit. Sipas tij, nëse Evropa nuk reformohet dhe nuk krijon udhëheqje të besueshme, rrezikon të mbetet një spektatore e krizave globale.