LEJE PUNE PËR MENSTRUACIONET/ Shteti indian ofron leje pune të paguar për të gjitha gratë në punë

Karnataka është bërë shteti i parë në Indi që ofron leje menstruale të paguar për të gjitha gratë në punë në sektorin formal, përfshirë kompanitë private. Vendimi ka ngjallur debate për barazinë gjinore, ndërsa mbështetësit thonë e cilësojnë si një hap historik dhe që mund të ndihmojë në thyerjen e stigmës që rrethon menstruacionet në Indi.

Në Indi, grave të moshës 18 deri në 52 vjeç do tu lejohet të marrin një ditë leje menstruale çdo muaj, pa qenë nevoja për certifikatë mjekësore. Leja nuk mund të akumulohet apo bartet për muajt e ardhshëm.

Vendimi i marrë në shtetin indian, Karnataka, prek rreth 350 deri në 400 mijë gra në sektorin formal, por nuk përfshin një grup shumë më të madh — rreth 6 milionë punëtore në sektorin informal, si shërbimet shtëpiake, punëtoret me pagesë ditore dhe punëtoret e platformave “gig”. Ekspertët thonë se politika duhet të zgjerohet edhe për ta.

Megjithatë, politika e Karnatakës vlerësohet si historike pasi është e para në Indi që përfshin edhe sektorin privat, duke u aplikuar pa dallim pozicioni apo kontrate pune.

Koncepti i lejes menstruale nuk është i ri: disa shtete indiane e ofrojnë pjesërisht për punonjëset e administratës, ndërsa vende si Spanja dhe Japonia e kanë ligjëruar prej vitesh. Por në Indi masa ka hapur debat për barazi gjinore dhe mundësinë e përdorimit të saj në mënyrë të padrejtë kundër grave në punë.

Një përfaqësues i Nasscom tha se shumë kompani në Karnataka tashmë ofrojnë leje menstruale, ndaj zbatimi i politikës së re nuk do të krijojë vështirësi. Sindikatat e mirëpresin vendimin, sidomos në sektorë ku gratë kanë vetëm 11 ditë leje në vit.

Por jo të gjitha gratë janë optimiste. Në shumë zona të Indisë menstruacioni mbetet tabu, dhe gratë shpesh përjashtohen nga tempujt apo izolohen në shtëpi. Disa thonë se është e vështirë të kërkosh leje menstruale kur vetë tema nuk përmendet kurrë hapur.

“Si mund të kërkojmë leje menstruale kur as nuk e përmendim menstruacionin? Shoqëria jonë nuk ka arritur ende në atë pikë. Nuk më duket e nevojshme. Gratë kanë arritur në pozita të larta pa e përmendur kurrë këtë.” Anunita Kundu, menaxhere IT.

Sipas ekspertëve, sfida më e madhe është stigma e thellë sociale. Edhe në shtete që e ofrojnë lejen prej dekadash, si Bihar, menstruacioni trajtohet ende me turp dhe fshehtësi.

Disa gra thonë se politika mund të ndihmojë në thyerjen e stigmëss. “Të quash lejen si ‘leje menstruale’ e normalizon temën,” thotë një mësuese nga Bengaluru.

Sipas komitetit shtetëror për lejen menstruale, gratë duhet të inkurajohen që ta përdorin pa ndjenjën e fajit.