Sfida e sotme ndaj Andorrës, Sylvinho dërgon në tribunë dy lojtarë
Kombëtarja shqiptare e futbollit do të zbresë sonte në fushë për një sfidë vendimtare ndaj Andorrës, me objektivin për të siguruar për herë të parë një vend në play-off-in e Kupës së Botës 2026.
Ndeshja do të zhvillohet në orën 20:45, dhe nëse Shqipëria fiton, ndërsa Serbia humbet në përballjen ndaj Anglisë, atëherë skuadra e drejtuar nga Sylvinho do të kualifikohet zyrtarisht si e dyta e grupit, duke mbajtur gjallë ëndrrën për një vend në finalet e turneut që do të mbahet verën e ardhshme në Amerikën e Veriut.
Trajneri brazilian ka përzgjedhur 25 lojtarë për këtë ndeshje, por për shkak të rregullores së UEFA-s që lejon vetëm 23 futbollistë në listën zyrtare, ai ka lënë jashtë Klisman Caken dhe Adrion Pajazitin.
Pavarësisht mungesave, atmosfera në kampin kuqezi mbetet e ngarkuar me optimizëm. Sylvinho është shprehur se skuadra është gati të japë maksimumin, ndërsa mund të aplikojë edhe ndonjë ndryshim skeme për të arritur fitoren që do të shkruante historinë.
