SERIE A HUMBET MAGJINË/ Kampionati italian rikthehet në vitet e “catenaccio-s”, rekord negativ me 0-0
Pas 11 javësh kampionat, Serie A regjistron 17 barazime pa gola, një shifër rekord që ngre alarmin për mungesën e spektaklit. Në një futboll gjithnjë e më të kujdesshëm e taktik, sulmuesit humbasin shënjestrën, portierët shkëlqejnë, dhe tifozët mbeten me duar bosh.
“Rezultati perfekt” – kështu e quajnë 0-0 ata që besojnë se futbolli është arti i mosgabimit. Por pas 17 barazimeve pa gola në vetëm 110 ndeshje, Serie A duket se po kthehet pas në kohë. Jo në epokën e spektaklit, por në atë të katenaços klasike, ku mbrojtja vlen më shumë se goli.
Sipas një analize të Il Giornale, Italia kryeson Europën për ndeshje pa gola, shumë më lart se Gjermania, Spanja , Franca apo edhe Anglia. Mbi 15 % e ndeshjeve, një shifër që nuk shihej që prej viteve ’70–’80, kur çdo gol duhej “fituar” me durim e sakrificë.
Por pse nuk shënohet më?
Ekspertët dhe trajnerët tregojnë një sërë arsyesh: mungesë saktësie para portës, dominim i mbrojtjeve, lojë e ngadaltë dhe pa kreativitet individual. Driblimi, dikur arma sekrete e yjeve italianë, është kthyer në një kujtim nostalgjik. Mesatarja e kohës efektive të lojës është vetëm 53 minuta për ndeshje, një tjetër tregues i rënies së intensitetit.
Ndërkohë, portierët po shkëlqejnë: që nga fillimi i sezonit janë pritur 7 penallti, ndërsa strategët si Allegri e Conte vazhdojnë të përsërisin se “kampionati fitohet me mbrojtje, jo me gola”. Por ndoshta po shkohet shumë larg.
Siç vëren një analist italian, “kur edhe Gasperini del në krye me vetëm pesë gola të pësuar, atëherë e ardhmja e futbollit italian duket më shumë si e shkuara.”
Në një Europë që kërkon spektakël dhe ritëm, Serie A duket gjithnjë e më shumë si një muze i taktikës – elegant, i disiplinuar, por i zhveshur nga emocioni i golit. Një futboll “vintage”, që ndoshta ruan hijeshinë e së kaluarës, por harron aromën e fitores.

