BAGNAIA KËRKON RIKTHIMIN/ Pas anulimit të vitit 2024, MotoGP kthehet në Valencia
Pas një viti ndërprerje për shkak të përmbytjeve katastrofike, MotoGP kthehet këtë fundjavë në Valencia, në pistën “Ricardo Tormo”, për garën që mbyll sezonin 2025. Për Francesco Bagnaian, ky është shansi i fundit për të shpëtuar një sezon nën pritshmëri
Një vit më parë, Valencia i la vendin pistës së Barcelonës për Solidarity Grand Prix, fituar nga Bagnaia si në Sprint ashtu edhe në garën kryesore.
Sot, kampioni në fuqi i Ducati-t rikthehet aty ku, dy sezone më parë, vulosi titullin e tij të dytë në MotoGP — por këtë herë misioni është krejt tjetër: rimarrja e vendit të tretë në renditjen e përgjithshme.
Bagnaia ka 35 pikë më pak se Bezzecchi, dhe me vetëm 37 pikë në lojë, objektivi duket thuajse i pamundur. Për më tepër, Pedro Acosta, në superformë me katër gara të shkëlqyera radhazi, ndodhet vetëm tre pikë pas italianit, duke rritur presionin për një fund sezoni zjarrtë.
Në ndeshjen tjetër brenda garës, Fabio Di Giannantonio dhe Franco Morbidelli do të përballen për vendin e gjashtë në renditje. Piloti romak kryeson me 12 pikë ndaj shokut të skuadrës në VR46, ndërsa Morbidelli mbështetet në kujtimet e fitores së tij në Valencia pesë vite më parë. Fermin Aldeguer, që i ndjek të dy me 202 pikë, është i gatshëm të përfitojë nga çdo gabim.
Në mesin e pilotëve që kërkojnë një fund dinjitoz, Fabio Quartararo synon të rikuperojë pozicione në renditje pas një sezoni të vështirë. Me 198 pikë, francezi i Yamaha-s ka shansin të kalojë Aldeguerin, ndërsa Alex Rins, bashkë me të, kërkon të përsërisë magjinë e fitores së tij të fundit në këtë pistë me Suzuki-n në 2022.
Në një fundjavë që përkon edhe me festimet e titullit të nëntë të Marc Marquez-it, Valencia pritet të jetë një arenë emocionale për rikthime, lamtumira dhe ndoshta një fitore shlyese për ata që sezoni nuk i shpërbleu.
Në pistën valenciane, çdo xhiro mund të peshojë si një sezon i tërë.

