Anglia thërret dy lojtarë të rinj pas dëmtimeve të Gordon dhe Pope, lëndohet edhe Marc Guehi
Përfaqësuesja e Anglisë ka bërë ndryshime të detyruara në listën e saj për ndeshjet e fundit kualifikuese të Botërorit, pasi Anthony Gordon dhe Nick Pope janë detyruar të tërhiqen për shkak dëmtimi.
Në vend të tyre, Trevoh Chalobah i Chelsea-t dhe James Trafford i Manchester City-t janë thirrur nga trajneri Thomas Tuchel, për përballjet ndaj Serbisë dhe Shqipërisë.
Federata Angleze konfirmoi ndryshimet nëpërmjet një komunikate zyrtare:
“Trevoh Chalobah (Chelsea) dhe James Trafford (Manchester City) janë shtuar në skuadër, pas tërheqjes së dyshes së Newcastle United, Anthony Gordon dhe Nick Pope, për shkak dëmtimi dhe tronditjeje në kokë, përkatësisht.”
Ndërkohë, Marc Guehi vazhdon të mbetet nën monitorim mjekësor, pasi pësoi një dëmtim në këmbë gjatë ndeshjes së Crystal Palace ndaj AZ Alkmaar, duke shtuar shqetësimet për Tuchel-in.
Chalobah, 26 vjeç, e debutoi te Chelsea pikërisht nën drejtimin e Tuchel-it në vitin 2021, kur skuadra londineze fitoi Ligën e Kampionëve, dhe më pas debutoi me Anglinë këtë vit në humbjen ndaj Senegalit.
Qendërmbrojtësi është rikthyer këtë sezon me Chelsea pas mungesës së gjatë të Levi Colwill dhe paraqitjet e tij të fundit kanë bindur stafin e Anglisë për t’i dhënë një tjetër mundësi në Kombëtare.
Anglia kërkon të mbyllë kualifikimet me dy fitore, ndërsa përballjet kundër Serbisë dhe Shqipërisë do të jenë provë e rëndësishme për lojtarët e rinj të thirrur.
