Chivu përgatit derbin ndaj Milanit: Rikthehet “Thu-La”
Trajneri Cristian Chivu ka nisur përgatitjet mendore për derbin e 23 nëntorit ndaj Milanit, edhe pse shumë lojtarë ndodhen me kombëtaret. Lajmi më i rëndësishëm është rikthimi i Marcus Thuram, që bashkë me Lautaro Martinezin do të formojnë sërish dyshen ikonike “Thu-La”
Tek Interi po fryn erë derbi, dhe Cristian Chivu e ka të qartë se sfida me Milanin nuk është një ndeshje si gjithë të tjerat. Trajneri rumun, i cili në 15 ndeshjet e para ka treguar guxim në rotacionet e skuadrës, synon që për përballjen me kuqezinjtë të zbresë në fushë me formacionin më të fortë.
Në qendër të vëmendjes është rikthimi i Marcus Thuram, mungesa e të cilit që prej dëmtimit më 30 shtator ndaj Slavia Pragës është ndjerë dukshëm.
Sulmuesi francez ka përfunduar rikuperimin dhe është gati të marrë sërish fanellën e titullarit. Interi ka nevojë për eksplozivitetin dhe shpejtësinë e tij, edhe pse Pio Esposito dhe Ange-Yoan Bonny kanë bërë një punë solide gjatë mungesës së tij.
Kthimi i Thuramit do të rikthejë automatikisht në jetë partneritetin e njohur si “Thu-La” – kombinimi i tij me Lautaro Martinezin, që ka qenë baza e suksesit të Interit në muajt e fundit.
Lautaro pritet të rikthehet në Milano më 14 nëntor, menjëherë pas miqësores që Argjentina do të zhvillojë ndaj Angolës, çka i jep Chivut një javë të plotë për të përgatitur derbin.
Në kampin zikaltër mbizotëron optimizmi: grupi ka treguar pjekuri dhe fleksibilitet në javët e fundit, por prania e Thuram dhe Lautaro në majë të sulmit i jep skuadrës dimensionin e vërtetë ofensiv që Chivu kërkon.
Për rumunin, ky do të jetë një test i rëndësishëm jo vetëm për pikët, por edhe për të provuar se Interi ka mësuar nga gabimet e sezonit të kaluar, kur në momente vendimtare i mungoi stabiliteti. Me “Thu-La” sërish bashkë, zikaltërit shpresojnë të rikthejnë dominimin në qytet.

