COP30 NIS ME KRITIKA/ Kreu i konferencës: Vendet e pasura kanë humbur vullnetin! Synimi, ulja e emetimeve të gazeve serrë

Samiti i klimës Cop30 në Brazil nisi me kritika. Udhëheqësi i  konferencës, André Corrêa do Lago, që paralajmëroi se vendet e pasura kanë humbur vullnetin për të luftuar krizën klimatike. Takimi synon uljen e emetimeve të gazeve serrë, daljen graduale nga lëndët djegëse fosile dhe sigurimin e ndihmës për vendet e varfra

Udhëheqësi i samitit për klimën Cop30 së ka paralajmëruar se vendet e pasura kanë humbur vullnetin për të luftuar krizën klimatike.

André Corrêa do Lago, diplomati brazilian që drejton konferencën e negociatave klimatike, e cila zhvillohet në qytetin amazonik Belém, u bëri thirrje vendeve të tjera që të ndjekin shembullin e Kinës, e cila po ecën me hapa të shpejtë përpara në prodhimin dhe përdorimin e teknologjive të energjisë së pastër në vend që sipas tij të ankohen se nuk mund ta konkurrojnë atë.

Ai theksoi se edhe pse Kina është ndotësi më i madh në botë, ajo është gjithashtu prodhuesja dhe konsumatorja më e madhe e energjisë me karbon të ulët.

Gjatë dy javëve të konferencës, ministrat dhe zyrtarët nga 194 vende do të kërkojnë të hartojnë një plan global për të mbajtur ngrohjen nën kufirin 1.5°C, siç parashikohet në Marrëveshjen e Parisit.

Në qendër të diskutimeve janë ulja e emetimeve të gazeve serrë, planifikimi i një daljeje graduale nga lëndët djegëse fosile, dhe garantimi i ndihmës financiare për vendet e varfra për t’u përballur me pasojat e ndryshimeve klimatike.

Brazili, si vend mikpritës, synon që Cop30 të fokusohet tek zbatimi i angazhimeve ekzistuese përfshirë burimet e rinovueshme dhe dyfishimin e efikasitetit energjetik.

Ndërkohë, të dhënat e reja tregojnë se disa nga premtimet kryesore klimatike po shkelen. Sipas një analize satelitore të kompanisë Kayrros, emetimet e metanit nga disa prej nënshkruesve kryesorë të angazhimit global për metanin, përfshirë SHBA, Australinë, Kuvajtin, Turkmenistanin, Uzbekistanin dhe Irakun anë rritur me 8.5% që nga viti 2020, pavarësisht zotimit për t’i ulur me 30% deri në vitin 2030.

Metani është një gaz serrë 80 herë më i fuqishëm se dioksidi i karbonit dhe përbën rreth një të tretën e ngrohjes globale të regjistruar kohët e fundit.

Ekspertët e quajnë “frenë emergjente” për temperaturat, por theksojnë se vendimet aktuale janë të pamjaftueshme.