Drejtori i përgjithshëm i BBC-së, Tim Davie dhe drejtoresha ekzekutive e BBC News, Deborah Turness, japin dorëheqjen për shkak të dokumentarit rreth Trump
Drejtori i përgjithshëm i BBC-së, Tim Davie, dhe CEO e “BBC News” Deborah Turness, kanë dhënë dorëheqjen për shkak të një dokumentari rreth presidentit amerikan, Donald Trump, sipas BBC.
“The Telegraph” publikoi detaje të një memoje të BBC-së – e cila sugjeronte se programi i saj kryesor dokumentar, Panorama, kishte redaktuar dy pjesë të fjalimit të Trump – me qellimin që ai të dukej sikur nxiste në mënyrë të qartë trazirat në Capitol Hill në janar të vitit 2021.
“Janë bërë disa gabime dhe si drejtor i përgjithshëm duhet të marr përgjegjësinë përfundimtare”, tha Davie në një deklaratë.
Gjithashtu, në një deklaratë të veçantë, Turness tha se “faji i takonte asaj”, duke e përshkruar vendimin për t’u larguar si “të vështirë”.
“I gjithë bordi e respekton vendimin”, tha kreu i BBC-së.
BBC shpreson shumë që këto dorëheqje ta largojnë presionin nga kjo situatë.
Largimi i Davie, pas pesë vitesh si shef, vjen pas polemikave të tjera të veçanta të BBC-së gjatë muajve të fundit.
Dorëheqja e Tim Davie dhe Deborah Turness vjen pasi “The Telegraph” publikoi detaje të një memoje të brendshme të BBC-së që sugjeronte se Panorama kishte redaktuar një fjalim të Donald Trump, me qellimin që ai të dukej sikur inkurajonte në mënyrë të qartë trazirat në Capitol Hill të janarit 2021.
Memoja e publikuar erdhi nga Michael Prescott, një ish-këshilltar i jashtëm i pavarur në komitetin e standardeve editoriale të transmetuesit.
Ai u largua nga posti në qershor.
Prescott ngriti shqetësime në lidhje me dokumentarin e Panorama-s “Trump: Një shans i dytë? “- i cili u transmetua vitin e kaluar dhe u realizua për BBC-në nga kompania e pavarur e prodhimit “October Films Ltd”.
Në fjalimin e tij në Uashington DC më 6 janar 2021, Trump tha: “Do të ecim drejt Kapitolit dhe do të brohorasim për senatorët, kongresmenët dhe gratë tona të guximshme”.
Megjithatë, në redaktimin e dokumetarit “Panorama” ai u shfaq duke thënë: “Do të ecim drejt Kapitolit… dhe unë do të jem atje me ju. Dhe do të luftojmë. Do të luftojmë me gjithë forcën”.
Dy pjesët e fjalimit që u redaktuan së bashku kishin një distancë prej më shumë se 50 minutash nga njëra-tjetra.
Komenti “të luftojmë me gjithë forcën” u mor nga një pjesë ku Trump diskutoi se sa “të korruptuara” ishin zgjedhjet amerikane.
Në total, ai përdori fjalët “luftë” ose “të luftojmë” 20 herë në fjalim.

