Balotazhi për drejtuesit lokalë/ Qytetarët e 18 komunave në Kosovë u drejtohen sot kutive të votimit

Sot në Kosovë po mbahen zgjedhjet lokale në komunat ku raundi i parë i zgjedhjeve, të mbajtura më 12 tetor, nuk solli fitues të qartë. Balotazhi po zhvillohet në 18 nga gjithsej 38 komuna të vendit, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Sipas KQZ-së, qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 07:00 deri në 19:00. Procesi po zhvillohet në 525 qendra votimi, me gjithsej 1.648 vendvotime. Prej tyre, 507 qendra me 1.628 vendvotime janë për votimin e rregullt, ndërsa për votimin me kusht janë paraparë 18 qendra, nga një në secilën komunë, me gjithsej 20 vendvotime.

Balotazhi sot po zhvillohet në këto komuna: Prishtina, Prizreni, Peja, Juniku, Dragashi, Gjakova, Kaçaniku, Fushë Kosova, Mitrovica e Jugut, Rahoveci, Suhareka, Gjilani, Vitia, Vushtrria, Obiliqi, Klina, Mamusha dhe Kllokoti.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës ka njoftuar se në balotazh janë 1 milion e 316 mijë e 672 votues. Nga listat zgjedhore janë hequr 1 mijë e 147 persona për shkak të vdekjes ose humbjes së shtetësisë.