EMRAT/ Sekuestrohen 12 mln euro pasuri në Sarandë, dy hotele, lokale dhe apartamente, Ja çfarë dyshohet

Policia e Vlorës ka sekuestruar pasuri me vlerë rreth 12 milionë euro në Sarandë, të dyshuara si të përfituara nga veprimtari kriminale. Në qendër të hetimit janë Kristi Qirici (alias Jetmir Hoxha), vëllai i biznesmenit të vrarë Edmond Papa. Po ashtu janë sekeustruar edhe pasuritë e Adriatik Kalemit i cili dyshohet si personi që organizoi vrasjen e Edmond Papës.

Një hetim i gjerë i Policisë së Vlorës dhe Prokurorisë së Sarandës ka çuar në sekuestrimin e pasurive që kapin vlerën e 12 milionë eurove, të lidhura me dy individë të njohur për aktivitet kriminal dhe hakmarrje mes bandash.

Sekuestro janë vendosur ndaj pronave të Kristi Qirici, i njohur edhe si Jetmir Hoxha, I cili është vëllai i Edmond Papës, biznesmeni i vrarë në Tiranë më 16 dhjetor 2022.  Atij I janë sekuestruar dy hotele luksoze në Sarandë, mes tyre “Blu Sky”, ku më 11 qershor 2022 kishte qëndruar për dy ditë para ekzekutimit të tij i riu Aleksandër Sadikaj.

Hetuesit dyshojnë se vëllezërit Qirici-Papa kanë qenë të përfshirë në vrasjen e Sadikajt, ngjarje që më pas çoi në një spiralë hakmarrjesh.

Pikërisht për këtë arsye, në hetim ndodhet edhe Adriatik Kalemi, 53 vjeç, që dyshohet si organizatori i vrasjes së Edmond Papës.

Ndaj tij janë sekuestruar prona në Sarandë, Tiranë, Rradhimë dhe Memaliaj, përfshirë lokale, apartamente, toka, pasuri ndërtimore dhe njësi tregtare. Lista e pasurive përfshin gjithashtu një mjet lundrues, katër automjete dhe 12 llogari bankare, të cilat po verifikohen për origjinën e fondeve.

Kalemi ka një të kaluar kriminale të gjatë: më 13 prill 2001, ai dhe vëllai i tij Fatmiri ekzekutuan në Belgjikë vëllezërit Mevlan dhe Adriatik Çaça, ndërsa në vitet e fundit është përfshirë në disa ngjarje të dhunshme në Shqipëri dhe Greqi.

Kalemi vetë u plagos në gusht 2023 në Paxos, në prani të familjes, dhe më pas në dhjetor të po atij viti u qëllua me thikë brenda burgut “Koridhalos” në Greqi nga një 28-vjeçar egjiptian që mbante foton e tij në telefon.