Yamal në qendër të kritikave, Mendes e mbron: Është vetëm 18 vjeç, do bëhet më i miri!

Lamine Yamal vazhdon të jetë në qendër të diskutimeve në Spanjë, por këtë herë Jorge Mendes ka dalë publikisht për ta mbrojtur yllin e ri të Barcelonës.

Në një intervistë për Mundo Deportivo, agjenti portugez kërkoi më shumë qetësi dhe mbështetje për talentin 18-vjeçar. Sipas Mendes, jehona rreth Yamalit është e tepruar për një futbollist kaq të ri:

“Nuk e kuptoj gjithë këtë presion. Në këtë moshë jemi rritur dhe gabuar të gjithë. Duhet ta mbështesim, sepse është një pasuri e rëndësishme për Barcelonën.”

Ai vuri në dukje pjekurinë dhe sjelljen shembullore të lojtarit brenda dhe jashtë fushe, duke theksuar se Yamal punon çdo ditë me qetësi dhe përulësi.

Sa i përket potencialit, Mendes nuk ka dyshime: “Lamine e lejon lojën të flasë për të. Çdo ndeshje sjell diçka të jashtëzakonshme. Vetëm talentet e lindura arrijnë ta bëjnë këtë.”

Në përfundim, ai e krahasoi rrugëtimin e tij me legjenda të futbollit, si Messi, Cristiano Ronaldo dhe Iniesta, por nënvizoi se Yamal duhet të mbetet vetvetja.

“Nëse vazhdon me këtë ritëm, mund të bëhet lojtari më i mirë i 20 viteve të ardhshme.”