REZULTATET/ Mbrëmja Champions: Zhgënjen Barcelona ndaj Brugge, City dhe Inter bëjnë detyrën

Mbrëmja e Champions League solli spektakël dhe surpriza, me rezultatin më të bujshëm që erdhi nga Belgjika, ku Club Brugge ndali Barcelonën në një barazim dramatik 3-3.

Skuadra belge e nisi ndeshjen në mënyrë perfekte, duke kaluar në avantazh që në minutën e 5-të me Nicolo Tresoldi, pas një kundërsulmi të shpejtë dhe asistit të Carlos Forbs.

Reagimi i katalanasve ishte i menjëhershëm, me Ferran Torres që barazoi shifrat vetëm tre minuta më pas, pas një kombinimi të bukur me Fermin Lopez.

Por Brugge nuk u ndal, dhe në minutën e 16-të Carlos Forbs riktheu avantazhin për vendasit. Në pjesën e dytë, talenti Lamine Yamal tregoi klasin e tij duke barazuar në minutën e 60-të, por Forbs sërish e ndëshkoi mbrojtjen e Barcelonës vetëm tre minuta më pas, duke e çuar rezultatin në 3-2.

Në minutën e 77-të, një kros i Yamal devijua nga Christos Tzolis në portën e tij, duke vulosur barazimin 3-3. Brugge pati mundësinë të marrë fitoren në fund me golin e Romeo Vermant, por ai u anulua për faull ndaj Szczesny.

Ndërkohë, në “Etihad Stadium”, Manchester City dominoi ndaj Borussia Dortmund, duke fituar 4-1. Phil Foden zhbllokoi shifrat në minutën e 22-të, ndërsa Erling Haaland dyfishoi shtatë minuta më pas.

Foden realizoi dopietën e tij në pjesën e dytë, ndërsa Anton ngushtoi përkohësisht diferencën për gjermanët. Në fund, Rayan Cherki vulosi rezultatin 4-1.

REZULTATET/ Mbrëmja Champions: Zhgënjen Barcelona ndaj Brugge, City

Në “San Siro”, Inter arriti fitoren e katërt radhazi në këtë sezon të Champions-it, duke mposhtur 2-1 Kairat Almaty.

Lautaro Martinez kaloi zikaltrit në avantazh në fund të pjesës së parë, por Arat barazoi në minutën e 54-të. Gjithsesi, Carlos Augusto siguroi tre pikët me një goditje të fuqishme nga distanca në minutën e 67-të.

Rezultate të tjera:

Ajax 0–3 Galatasaray (të tre golat e Osimhen, dy me penallti)

Newcastle 2–0 Athletic Bilbao

Benfica 0–1 Bayer Leverkusen

Marseille 0–0 Atalanta