BETEJA NDRYSHE NË TENIS/ Numri 1 i botës për femra përballet me të 652-in për meshkuj më 28 dhjetor në Dubai
Numri një i botës Aryna Sabalenka do të përballet me Nick Kyrgios në të ashtuquajturën Beteja e Sekseve në Tenis, që do të mbahet më 28 dhjetor në Dubai. Të dy tenistët kanë shprehur respekt të ndërsjellë, por kanë premtuar një përballje të fortë dhe spektakolare
Numri një i botës në Tenis, Aryna Sabalenka, do të përballet me Nick Kyrgios në ndeshjen e ashtuquajtur “Beteja e Sekseve” që do të zhvillohet në Emiratet e Bashkuara Arabe këtë vit.
Sabalenka, 27 vjeçe nga Bjellorusia, dhe australiani 30-vjeçar Kyrgios – i renditur aktualisht në vendin e 652-të në botë do të jenë përballë me 28 dhjetor në Dubai.
“Jam krenare që përfaqësoj tenisin e femrave dhe që jam pjesë e këtij versioni modern të ‘Battle of the Sexes’ legjendar.”, tha Sabalenka, aktualisht kampionia në fuqi e Wimbledon-it dhe US Open-it.
Kyrgios, finalist i Wimbledon 2022, tha se mezi pret mundësinë për t’u përballur me Sabalenkën, me të cilën ndan të njëjtin agjent.

“Kur numri një i botës të sfidon, ti i përgjigjesh thirrjes. Kam respekt të madh për Arynën – ajo është një forcë e vërtetë dhe një kampione e madhe,” – tha ai.
Kyrgios, i cili në vitin 2016 arriti vendin e 13-të në renditjen botërore, ka zhvilluar vetëm pesë ndeshje këtë vit, pasi është rikthyer nga një dëmtim i rëndë në dorë që e mbajti jashtë fushave për 18 muaj.
“Kam shumë respekt për Nick dhe talentin e tij, por mos bëni gabim – jam gati të jap maksimumin”, tha Sabalenka.
Deri më sot janë zhvilluar tre ndeshje zyrtare të quajtura “Battle of the Sexes”, më e famshmja ndërmjet Billie Jean King dhe Bobby Riggs në vitin 1973.
Veterani amerikan Riggs kishte mundur më parë australianen Margaret Court, përpara se King të merrte hak katër muaj më vonë.
Në vitin 1992, Jimmy Connors, 40 vjeç, mposhti shumëkampionen e Grand Slam Martina Navratilova, atëherë 35 vjeçe, nën rregulla të përziera.

