Një shtetas letonez arrestohet për spiunazh për inteligjencën ushtarake ruse

Një shtetas letonez është arrestuar me akuzën e spiunazhit, nën dyshimin se ka mbledhur të dhëna mbi sektorin e mbrojtjes së Letonisë për llogari të shërbimit të inteligjencës ushtarake ruse, GRU.

Sipas Shërbimit të Sigurisë Shtetërore të Letonisë (VDD), i dyshuari ka mbledhur dhe transmetuar informacione të ndjeshme mbi forcat e NATO-s të vendosura në territorin letonez, si dhe të dhëna për infrastrukturën private të aviacionit.

Arrestimi i tij u krye muajin e kaluar gjatë një operacioni policor që përfshiu bastisje në dy objekte të lidhura me rastin. Hetimet janë në vazhdim, me pjesëmarrjen edhe të disa agjencive evropiane të inteligjencës.

Sipas autoriteteve, ky rast është pjesë e një fushate më të gjerë të Rusisë për sabotim dhe luftë hibride kundër vendeve aleate të Ukrainës. Fushata përfshin sulme zjarrvënëse, operacione kibernetike dhe akte spiunazhi në disa shtete evropiane.

Ngjarja vjen në një kohë kur vendet baltike dhe pjesa tjetër e Evropës ndodhen në gatishmëri të lartë, pas disa ndërhyrjeve nga avionë luftarakë dhe dronë rusë në hapësirën ajrore të NATO-s gjatë muajit shtator.

Zyrtarë të disa vendeve evropiane besojnë se Moska po teston reagimin e aleancës, duke ngritur shqetësime për nivelin e gatishmërisë së NATO-s për t’iu përgjigjur kërcënimeve të reja nga Rusia.