Komisioni i Sigurisë i parlamentit izraelit miraton projektligjin për dënimin e t*rroristëve
Komiteti i Sigurisë Kombëtare i Knessetit votoi të hënën në favor të një projektligji që do të rivendoste dënimin me vdekje për autorët e sulmeve "terroriste", një propozim i mbështetur nga Ministri i Sigurisë Kombëtare i ekstremit të djathtë Itamar Ben-Gvir.
Komiteti miratoi ndryshimin në kodin penal dhe propozimi tani do të paraqitet në seancën plenare të parlamentit, ku duhet të votohet tre herë në mënyrë që të bëhet ligj shtetëror. Sipas ndërmjetësit izraelit për pengjet Gal Hirsch, edhe kryeministri Benjamin Netanyahu e mbështet iniciativën.
Në një memorandum që shpjegon vendimin e komitetit, thuhet se "qëllimi i tij është të çrrënjosë terrorizmin nga rrënjët e tij dhe të krijojë një pengesë të fortë". Teksti specifikon se "një terrorist që shpallet fajtor për vrasje të motivuar nga racizmi ose urrejtja do të dënohet me vdekje", duke shtuar se ky dënim është "jo opsional".
Projektligji u paraqit nga një anëtar i partisë së Ben Gvir , Otzma Yehudit. Ministri ka kërcënuar se do të ndalojë votimin për propozimet e koalicionit qeveritar nëse projektligji nuk i paraqitet parlamentit për votim deri më 9 nëntor.
“Çdo terrorist që po përgatitet të kryejë vrasje duhet ta dijë se dënimi do të jetë një: dënimi me vdekje”, tha ai në një deklaratë sot.
Të premten, Ben Gvir bëri thirrje për rivendosjen e dënimit me vdekje me një video ku e tregon veten duke qëndruar para të burgosurve palestinezë, të shtrirë me fytyrën përtokë, me duart e lidhura pas shpine.
