Iu gjet një sasi lënde narkotike e gatshme për shitje, arrestohet 29-vjeçari në Lezhë
Një 29-vjeçar është arrestuar në Lezhë. Ai u arrestua nga forcat blu, pasi gjatë kontrollit të makinës së tij iu gjet një sasi lëndë narkotike e gatshme për shitje. Ai u kap nga policia në aksin rrugor Kallmet–Ungrej.
Mbi 29-vjeçarin, banues në Lezhë rëndon akuza për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Policia ka shoqëruar të riun drejt ambienteve të komisariatit, ndërsa po heton më shumë mbi rastin.
Njoftimi i policisë
Në vijim të punës informative dhe operacionale, të kryer me objektiv parandalimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit, prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale i bënë shenjë ndalimi, në aksin rrugor “Kallmet – Ungrej”, automjetit tip “Nissan”, me drejtues shtetasin A. T..
Nga kontrolli, u gjet në automjet, një sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, e cila posedohej me qëllim shitjen. Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. T., 29 vjeç, banues në Lezhë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.