SEKRETET E SHTETIT PËR VOTA! GJKKO shpall faktor ish-deputetin Jurgis Çyrbja dhe Altin Hajrin. Ja sa vite burg do bëjnë të akuzuarit e dosjes së Durrësit

Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit ka vendosur dënimin me 3 vjet burg për ish-deputetin Jurgis Çyrbja, të akuzuar për nxjerrjen e sekretit shtetëror, përkrahje të autorit të krimit dhe korrupsion në zgjedhje.

HETIMI I SPAK

Ish-ligjvënësi, sipas SPAK, ka nxjerrë informacione sekrete të Policisë së Shtetit dhe të dhëna nga sistemi TIMS, duke ndihmuar persona të kërkuar, përfshirë Altin Hajrin, t’i shpëtonin drejtësisë.

Jurgis Çyrbja u gjykua me procedurë të shkurtuar dhe, në rast se Gjykata e Posaçme pranon pa ndryshime kërkesën e SPAK, ai do të vuajë 2 vite burg.

Të njëjtën masë dënimi, Prokuroria e Posaçme kërkoi edhe për Altin Hajrin, të cilin e akuzon për “korrupsion” dhe “tregim sekreti shtetëror”, ndërsa ai u gjykua në mungesë pasi ndodhet në arrati.

Kurse për Ahmet Mashan kërkon 2 vite e 6 muaj, ose 1 vit e 8 muaj burg nga gjykimi i shkurtuar.

Ilir Murati, avokat i ish-deputetit, kundërshtoi provat e SPAK para togave të zeza.

Bazohet tek transkriptet, disa biseda e foto, por nuk lidhen me asnjë provë tjetër. Nuk ka përcaktim të saktë se cili informacion konkret përbën nxjerrje sekreti shtetëror. SPAK të sqarojë cili fakt përbën nxjerrje të sekretit shtetëror. Duhet të kemi një akt klasifikimi të kualifikimit të sekretit shtetëror, dhe akuza nuk specifikon se i çfarë niveli është sekreti shtetëror i pretenduar që ka nxjerr i pandehuri.

Avokati i Altin Hajrit, në anën tjetër, pretendoi se SPAK nuk ka paraqitur prova për favore në këmbim të votave, duke theksuar se klienti i tij dhe ish-ligjvënësi kanë njohje dhe se mbështetja e kandidatëve politikë është e drejtë kushtetuese.

Por SPAK thotë se ka prova të dokumentuara përmes komunikimeve në platformën e koduar “SkyECC”, se Jurgis Çyrbja ka kryer disa vepra penale, mes të cilave edhe nxjerrja e sekretit shtetëror.

Ish-deputeti, që ndodhet me masë sigurie “arrest me burg” prej tetorit të vitit të kaluar pas dorëheqjes, akuzohet gjithashtu se ka ofruar ndikim te organet ligjzbatuese në këmbim të sigurimit të votave nga Altin Hajri për zgjedhjet e vitit 2021.