Gjinushi: Nuk ka zhvillim të qëndrueshëm pa shkencë me vizion evropian
Në Konferencën e 5-të Ndërkombëtare mbi Bujqësinë dhe Shkencat e Jetës organizuar nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi u shpreh se konferenca vjen në momentin vendimtar për vendin teksa qeveria ka miratuar strategjinë e zgjuar, në të cilën synohet që investimi për kërkimin shkencor e inovacionin të arrijë në 1% të PBB, çka do të thotë rritje e këtij treguesi në disa herë.
Kreu i ASHSH tha se, në dekadat e fundit, përparimet në biologji, bioteknologji, siguri ushqimore, shkencat mjedisore, shëndetin publik veterinar, kanë treguar se zhvillimi i qëndrueshëm nuk mund të arrihet pa një shkencë të fuqizuar, të integruar dhe me vizion evropian. Në këtë kontekst, Akademia e Shkencave mbështet fuqimisht:
– promovimin e kërkimit shkencor shumëdisiplinor;
– zhvillimin e burimeve njerëzore për shkencë dhe inovacion;
– forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar;
– përfshirjen e ekspertizës shkencore në hartimin e politikave kombëtare, veçanërisht në zbatim të tyre.
Kryeakademiku Gjinushi u shpreh se sot, më shumë se kurrë, duhet të forcohen lidhjet midis dijes dhe politikëbërjes, midis laboratorit dhe ekonomisë, midis shkencës dhe shoqërisë.
“Bashkëpunimi midis institucioneve tona do të zgjerohet e forcohet më tej me ngritjen e qendrave të reja elitare, të parashikuara tashmë në “Strategjinë e zgjuar”, e posaçërisht të Nanoalb. Qendrën e re ne e shohim si një krijim të përbashkët me UBT, UT, UP etj., pasi së bashku mund t’i japim asaj vizionin, formatin dhe mbështetjen e duhur”, u shpreh Gjinushi, i cili theksoi gjatë fjalës së tij se për të pasur diploma të nivelit evropian, duhen stafe të nivelit evropian e stafet trajnohen vetëm nëpërmjet kërkimit shkencor.