Kryeministri Carney i kërkon falje Trump për reklamën anti-tarifore
Kryeministri kanadez, Mark Carney i ka kërkuar falje Donald Trump për reklamën anti-tarifore të transmetuar në Ontario, e cila e nxiti presidentin amerikan të pezullonte bisedimet tregtare me Kanadanë.
“Unë i kërkova falje presidentit të SHBA-së. Presidenti Trump u ndje i ofenduar nga reklama”, u tha sot Carney gazetarëve.
Trump e konsideroi reklamën televizive të transmetuar nga Ontario si një kritikë ndaj politikës së tij tarifore dhe më pas ndërpreu bisedimet tregtare me Kanadanë.
Reklama paraqiste zërin e ish-presidentit amerikan Ronald Reagan duke komentuar mbi disavantazhet e tarifave. Që nga fillimi i mandatit të tij të dytë në detyrë, Trump ka përdorur shpesh tarifat kundër vendeve anembanë botës.
Presidenti amerikan tha se deklaratat e Reagan ishin përdorur në mënyrë selektive dhe ishin hartuar në mënyrë mashtruese.
Pasi Trump ndërpreu bisedimet tregtare me vendin fqinj, kryeministri i Ontarios, Doug Ford njoftoi javën e kaluar se reklama do të ndërpritej.
Ai tha se qëllimi i njoftimit të publikut amerikan për pasojat e tarifave për punonjësit dhe kompanitë dhe nxitja e një diskutimi ishte arritur.
Por, sipas Trump pezullimi i transmetimit të reklamës nuk ishte i menjehershëm dhe njoftoi tarifa shtesë prej 10% kundër Kanadasë.
Si kryeministër, Carney tha se ishte përgjegjës për marrëdhëniet me SHBA-në dhe për këtë arsye kishte kërkuar falje, edhe pse nuk ishte i përfshirë në reklamë.
Mediet e ndryshme raportuan gjithashtu se Trump u kishte thënë gazetarëve në bordin e avionit presidencial “Air Force One” për kërkimfaljen personale të Carney, e cila me sa duket kishte ndodhur në periferi të një takimi të nivelit të lartë në Azi.
“Kur u pyet nëse SHBA-ja do të rifillonte bisedimet tregtare me Kanadanë, Trump u përgjigj me një “Jo” të vendosur”, sipas gazetës kanadeze “Toronto Star”.

