PAMJE/ Kaos total në Xhamajka pas Uraganit Melissa: Njerëzit kërkojnë ushqim mes rrënojave, hanë çfarë gjejnë në rrugë
Black River, Xhamajkë – Në rrugë të mbuluara nga balta, njerëzit ecin mes rrënojave duke kërkuar diçka për të ngrënë. Të tjerë futen në dyqane të shkatërruara, me shpresën për të gjetur ujë të pijshëm apo ndonjë furnizim të mbetur.
Ndërsa numri i viktimave po rritet, banorët e qytetit portual Black River ende kërkojnë të afërmit e zhdukur dhe luftojnë për të mbijetuar, disa ditë pas goditjes shkatërrimtare të Uraganit Melissa, një nga stuhitë më të fuqishme të regjistruara ndonjëherë në Karaibe.
Erozioni, erërat shkatërruese dhe përmbytjet e furishme kanë rrënuar gjithçka: rrugët janë bërë të pakalueshme, ndërtesat janë shembur, anijet janë përmbysur, ndërsa qyteti ka mbetur pa energji elektrike dhe pa ujë të rrjedhshëm.
Në çdo cep të qytetit shihen shenja shkatërrimi: automjete të copëtuara, ndërtesa të çara më dysh, dhe fletë gjigante metali të përfshira ndër degët e pemëve.

Banorët që folën për BBC-në thanë se nuk kanë parë asnjë kamion ndihmash në zonë deri më tani. Ata po përpiqen të mbijetojnë me çfarë gjejnë mes mbeturinave buzë rrugëve, në qytetin bregdetar që ndodhet rreth 150 kilometra në perëndim të kryeqytetit Kingston.
Disa prej tyre janë futur nëpër supermarkete të dëmtuara, duke marrë ushqim dhe ujë për veten dhe për të tjerët. “Duhej të përdorim çfarëdo që gjenim, në rrugë apo brenda marketit,” tha Demar Walker, një nga banorët e zonës.
Ai tregoi se pasi çatia e tregut ishte rrëzuar, u desh të ngjiteshin brenda për të marrë ujë e ushqime, të cilat më pas i hodhën poshtë për banorët e tjerë që prisnin me duar të shtrira. “Nuk ishim egoistë – duhej t’i ndanim me të tjerët,” shtoi ai.
Jo shumë larg, banorë të tjerë treguan se edhe një farmaci lokale ishte plaçkitur. “Pashë njerëz që dilnin me krahët plot ilaçe e pije alkoolike,” tha Aldwayne Tomlinson. “Në fillim mendova se ishte e hapur, por pastaj kuptova se po e plaçkitnin.”

Një grua që qëndronte mbi një grumbull mbeturinash përshkroi situatën si “kaos total – pa ushqim, pa ujë, pa ndihmë.” “Nuk kemi para, askush s’na ka ndihmuar. Nevojitet ndihmë urgjentisht,” tha Chegun Braham, me zë të dridhur.
Një çift që zotëron disa dyqane në zonë rrëfeu se disa prej tyre janë plaçkitur, ndërsa tani po qëndrojnë roje para njërit prej tyre për të penguar vjedhjet e tjera.

Ndërkohë, puna e ekipeve të shpëtimit është e vështirë për shkak të infrastrukturës së dëmtuar, ndërsa banorët e 'Black River' mbeten të izoluar dhe të dëshpëruar, në pritje të ndihmës që ende nuk ka mbërritur.
Burimi: BBC/ Përktheu: Syri.Net

