Aksident i rëndë në aksin Lushnje–Berat, mjeti i tonazhit të rëndë përfundon në kanal, shoferi dërgohet në spital

Një aksident i rëndë ka ndodhur në aksin rrugor Lushnje–Berat, në afërsi të fshatit Barbullinjë, ku një mjet i tonazhit të rëndë ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanalin kullues në krahun tjetër të lëvizjes.

Mjeti i kompanisë së ndërtimit, i ngarkuar me çakull, po udhëtonte në drejtim të Beratit kur, sipas informacioneve paraprake, i ka shpërthyer goma e parë gjatë lëvizjes.

Si pasojë, drejtuesi ka humbur kontrollin dhe mjeti është përmbysur në anën tjetër të rrugës.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet zjarrfikëse të Lushnjes dhe efektivët e qarkullimit rrugor, të cilët kanë bërë të mundur nxjerrjen e shoferit nga kabina.

Ai ka marrë plagë të rënda, por në momentin e nxjerrjes ishte i vetëdijshëm dhe është dërguar me urgjencë në spitalin e Lushnjes për ndihmë mjekësore.

Fatmirësisht, në aksident nuk janë përfshirë mjete të tjera, ndërsa policia po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe disiplinimin e qarkullimit në zonë.