Jo të gjithë për në Britani/ Dallashi: Qeveria po kufizon mundësitë për emigrantët, përfshirë edhe shqiptarët

Në një lidhje të drejtpërdrejtë për “Ora News”, avokatja e emigracionit Daniela Dallashi foli mbi ndryshimet e fundit në politikat britanike të emigracionit, duke theksuar se ky vit ka qenë ndër më të paqëndrueshmit për emigrantët në Mbretërinë e Bashkuar.

" Ky vit për qeverinë Britanike dhe emigracionin në përgjithësi ka qenë shumë i paqëndrueshëm. Kjo për shkak të presionit politik që qeveria ka aktualisht, qoftë nga partitë e tjera politike, qoftë nga opinioni politik.

Po flasim për një vit që është shumë anti emigracionit dhe si rrjedhojë qeveria ka ndërmarrë dhe po ndërmerr një sërë ndryshimesh.

Ndryshimet kanë nisur që në janar të këtij viti, duke mos lejuar shumë qytetarë të pajisen me nënshtetësinë britanike për shkak se në një moment të caktuar jetesës në Angli ato kanë bërë hyrje të paligjshme.

GJithashtu nga ana tjetër ministrja e brendshme këtu ka në plan të bëj ndryshime përsa i takon lejes së përhershme të qëndrimit.

Aktualisht personat që mund ta përfitojnë atë për 5 vite, planifikohet që mund të kalohet në 10 vite.

Pra, ata synojnë që e drejta e jetesës së përhershme këtu në Angli, mos të jetë një e drejtë që ti ta përfitosh por ta fitosh atë", u shpreh Dallashi.