OKB: Sulmet e SHBA-së ndaj anijeve të drogës shkelin të drejtën ndërkombëtare
Sulmet e ushtrisë amerikane ndaj anijeve që dyshohet se transportojnë drogë në Karaibe dhe Paqësor shkelin të drejtën ndërkombëtare humanitare, deklaroi zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut.
”Sulmet dhe viktimat prej goditjeve janë të papranueshme”, theksoi Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk.
“Mbi 60 persona thuhet se janë vrarë në një seri të vazhdueshme sulmesh të kryera nga forcat e armatosura amerikane kundër anijeve në Karaibe dhe Paqësor që nga fillimi i shtatorit, në rrethana që nuk gjejnë justifikim në të drejtën ndërkombëtare”, tha Turk.
“Këto sulme – dhe kostoja e tyre në rritje njerëzore – janë të papranueshme. SHBA duhet të ndalojë sulme të tilla dhe të marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar vrasjen jashtëgjyqësore të njerëzve në bordin e këtyre anijeve, cilado qoftë sjellja kriminale e pretenduar kundër tyre”, shtoi ai.
”Përdorimi i forcës vdekjeprurëse si mjet i fundit është i lejueshëm vetëm kundër individëve që përbëjnë një kërcënim të menjëhershëm për jetën”, theksoi Turk.
Ai bëri thirrje për një hetim të menjëhershëm, të pavarur dhe transparent të sulmeve, duke i bërë thirrje SHBA-së të përdorë metoda të provuara të zbatimit të ligjit, përfshirë përgjimin e ligjshëm të anijeve dhe arrestimin e të dyshuarve.