Tregu i çipave nën presion: Ndalimi nga Kina shton pasigurinë në Evropë

Industria evropiane e automobilave po përballet me një tronditje të re në zinxhirët e furnizimit, pasi prodhuesi holandez i çipave Nexperia ka ndaluar dërgesat e pllakave të silikonit nga Kina, pas një mosmarrëveshjeje me menaxhmentin lokal të uzinës në Dongguan.

Vendimi vjen vetëm disa javë pasi qeveria holandeze mori kontrollin e kompanisë për shkak të shqetësimeve për sigurinë kombëtare dhe ekonomike.

Sipas Bloomberg, ky veprim “potencialisht përshkallëzon ngërçin që tashmë po ndikon në prodhimin e automobilave në Evropë dhe më gjerë”.

Në një letër të datës 29 tetor, nënshkruar nga drejtori ekzekutiv i përkohshëm Stefan Tilger, klientët u informuan se furnizimet për fabrikën në Dongguan janë pezulluar që nga 26 tetori, për shkak të “dështimeve në përmbushjen e kushteve të pagesës kontraktuale”.

Ndikimi në prodhuesit evropianë të makinave

Nexperia furnizon çipa të rëndësishëm për sistemet e kontrollit të fuqisë, sensorët dhe elektronikën e karrocerisë për kompani si BMW, Stellantis dhe Volkswagen.

Këto komponentë janë jetikë për funksionimin e automjeteve moderne dhe kanë mbetur një pikë e dobët e zinxhirit të furnizimit, edhe pas lehtësimit të krizës së çipave gjatë pandemisë.

Ekspertët paralajmërojnë se çdo ndërprerje në rrjedhën e pllakave të montimit mund të ketë efekte zinxhir në prodhimin e moduleve dhe automjeteve në mbarë Evropën.

Ndërhyrja e qeverisë holandeze dhe reagimi kinez

Më 30 shtator, qeveria holandeze përdori për herë të rrallë Akti i Disponueshmërisë së Mallrave për të marrë kontrollin e përkohshëm të Nexperia, duke përmendur mangësi në qeverisje dhe rreziqe për vazhdimësinë e furnizimit.

Vendimi erdhi pas përplasjeve me kompaninë mëmë kineze Wingtech.

Në kundërpërgjigje, Pekini më 4 tetor vendosi kontrolle të reja të eksportit, të cilat ndalojnë Nexperia China dhe nënkontraktorët e saj të eksportojnë disa lloje komponentësh, duke e bërë edhe më të ndërlikuar situatën.

Kujdes i shtuar në industrinë evropiane

Prodhuesit e automjeteve dhe furnizuesit paralajmërojnë se ndërprerjet e gjata mund të çojnë në ulje të prodhimit dhe ngadalësim të industrisë, e cila tashmë ndodhet nën presion nga tensionet tregtare me SHBA-në dhe politikat proteksioniste të Kinës.

Sipas Shoqatës Evropiane të Prodhuesve të Automobilave (ACEA), mungesa e mikroçipave “po përkeqësohet dita-ditës”, dhe bllokimi i eksporteve nga Kina “rrezikon të shkaktojë ndërprerje të menjëhershme në linjat e montimit të makinave evropiane”.

ACEA ka bërë thirrje për një zgjidhje të shpejtë diplomatike për të rivendosur fluksin e furnizimeve dhe për të shmangur një krizë të re industriale në Evropë.