Falenderime për Osmanin/ Kurti: Siria njeh shtetin e Kosovës, një tjetër fitore diplomatike për vendin tonë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas njohjes zyrtare të shtetit të Kosovës nga Siria, duke e cilësuar këtë si një arritje të rëndësishme për diplomacinë kosovare dhe forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit.

‘Pas Kenias dhe Sudanit, Siria bëhet shteti i radhës që njeh Kosovën brenda këtij viti. Tre njohje dhe tre partneritete të reja më shumë për vendin tonë,’ shkruan Kurti në reagimin e tij.

Ai ka falënderuar Presidenten Vjosa Osmani për përpjekjet diplomatike që çuan në këtë njohje, si dhe Mbretërinë e Arabisë Saudite për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës.

‘Për këtë lajm të mirë për shtetin dhe të gjithë qytetarët tanë, i jemi mirënjohës përpjekjeve të suksesshme të Presidentes sonë Vjosa Osmani dhe mbështetjes së Mbretërisë së Arabisë Saudite si shtet mik e partner i Republikës sonë,’ thekson kryeministri.

Kurti ka shtuar se pas këtij hapi, Kosova do të punojë për forcimin e marrëdhënieve bilaterale me Sirinë dhe zhvillimin e partneriteteve të reja me përfitime të ndërsjella.

‘Nga sot angazhohemi që lidhjet mes nesh të fuqizohen duke ngritur marrëdhënie bilaterale me interesa të përbashkëta dhe partneritete afatgjatë,’ përfundon reagimi i tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.