Muça: Memorandumi për kontrollin portual në Mesdhe do të rrisë sigurinë detare

Komisioni i Ligjeve shqyrtoi sot projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në memorandumin e mirëkuptimit për kontrollin shtetëror portual në Rajonin e Mesdheut, bërë në Maltë, më 11 korrik 1997”.

Zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkeleda Muça sqaroi para anëtarëve të këtij komisioni përfitimet që do të ketë Shqipëria nga aderimi në këtë memorandum.

“Në një takim bilateral në kuadër të procesit të integrimit morëm një propozim shtesë nga Komisioni Europian për të filluar procedurat për t’u anëtarësuar në këtë memorandum mirëkuptimi, që ndihmon në rritjen e kapaciteteve teknike të autoriteteve portuale”, tha Muça.

Sipas saj, memorandumi i mirëkuptimit parashikon kontrolle dhe inspektime në bordin e anijeve që qëndrojnë në detin Mesdhe, për të shkëmbyer informacion në kohë reale.

“Ky memorandum mirëkuptimi i jep mundësinë edhe administratës sonë për t’u rritur në nivelin që do të na mundësojë anëtarësimin në marrëveshjen e mirëkuptimit të Parisit. Bashkë me Francën, në janar 2026 Shqipëria do të bëhet anëtar i këtij memorandumi mirëkuptimi”, shtoi ajo.

Anëtarësimi në këtë memorandum, sipas zëvendësministres, shënon një tjetër hap të rëndësishëm për kryerjen e detyrave të Drejtorisë së Përgjithshme Detare e Republikës së Shqipërisë.

“Kjo në raport me me anijet, inspektimet, krijimin e sigurisë dhe mbrojtjes së mjedisit detar si dhe për të krijuar më shumë siguri dhe certifikim të punonjësve në këtë lloj industrie”, tha ajo.

Muça bëri të ditur se tarifa e anëtarësimit është 21 500 euro dhe përballohet nga buxheti i MIE.

“Ky memorandum realizon objektivat që Shqipëria ka në kuadër të integrimit por edhe në raport me vendet e tjera mike të zonës së Mesdheut për një lundrim më të sigurt në mbrojtje të mjedisit”, shtoi ajo.

Zëvendësministrja iu përgjigj edhe interesimit të deputetit të PD-së Arian Ndoja mbi risitë që sjell aderimi në këtë memorandum.

Muça theksoi se kjo marrëveshje garanton standarde të unifikuara mes shteteve për sa i përket sigurisë së lëvizjes në det, mbrojtjes së mjedisit dhe standardeve të punësimit të njerëzve që punojnë në det.

“Marrëveshja siguron që çdo shtet të ushtrojë standarde të unifikuara të inspektimit që detet të mos ndoten. Të respektohen standardet e sigurisë në det në mënyrë që të sigurohen dete të pastra, të sigurta dhe njerëz që nuk abuzohen”, shtoi ajo.

Muça theksoi se “lehtësitë i presim në momentin e anëtarësimit në Memorandumin e Parisit”.

“Ky është një hap shumë i rëndësishëm për të arritur në Memorandumin e Parisit që përbëhet nga 27 vende të BE-së dhe Kanadaja”, shtoi ajo.

Muça tha se flota shqiptare aktualisht përbëhet nga 13 anije të regjistruara, 3 anije për transport pasagjerësh dhe pjesa tjetër për transportin e mallrave.

VIDEO -  NGA PUNIMET E SOTME NE KOMISIONET PARLAMENTARE