Mbreti i Jordanisë paralajmëron se vendosja e forcave arabe në Gaza do të refuzohej
Mbreti Abdullah i Jordanisë thotë se vendet arabe do të refuzonin të zbatonin planin 20-pikësh të Donald Trump për paqen në Gaza, nëse ai përfshin vendosjen e forcave të tyre të armatosura atje. Sipas tij Jordania dhe Egjipti janë të gatshëm të trajnojnë forcat palestineze, por nuk do të dërgojnë trupa në Gaza.
Mbreti Abdullah i Jordanisë thotë se vendet arabe do të refuzojnë të zbatonin planin e Donald Trump për Gazën, nëse do të detyrohen të çojnë trupat e tyre për të vendosur paqen.
Sipas dokumentit të propozuar vendet arabe duhet të angazhojnë forcat e tyre ushtarake në Gaza për të mbështetur forcat policore palestineze, në një mision që mbreti nuk e sheh si paqeruajtës.
"Cili është afati kohor i mandatit të forcave të sigurisë brenda Gazës? Dhe shpresojmë që të jenë paqeruajtëse, sepse nëse do të zbatohet paqja, askush nuk do të dojë ta prekë atë", tha Mbreti Abdullah.
Pavarësisht skepticizmit ai shton se Jordania dhe Egjipti janë të gatshëm të trajnonjnë forcat palestineze të sigurisë.
Por kjo kërkon kohë. Nëse ne vrapojmë nëpër Gaza duke patrulluar me armë, kjo nuk është një situatë në të cilën asnjë vend do të donte të përfshihej, shtoi mbreti.
Mbreti Abdullah tha gjithashtu se vendi i tij ishte "shumë afër politikisht" me situatën. Më shumë se gjysma e popullsisë së Jordanisë është me prejardhje palestineze dhe, gjatë dekadave, vendi ka pranuar 2.3 milionë refugjatë palestinezë që ikin nga luftërat e mëparshme me Izraelin, numri më i madh në rajon.
I pyetur nëse besonte se Hamasi do ta mbante premtimin për të hequr dorë nga çdo rol politik në Gaza, ai u përgjigj: “Nuk i njoh, por ata që punojnë shumë afër tyre, Katari dhe Egjipti ndihen shumë, shumë optimistë se do ta zbatojnë këtë premtim.”
Jordanezët kanë qenë pjesë e një përpjekjeje ndërkombëtare për të dërguar ndihma në Gaza dhe për të evakuuar fëmijët e sëmurë dhe të plagosur. Mbreti ka fluturuar mbi territor në tre misione duke hedhur me parashutë furnizime me ndihma.

