Kriza e ujit në Evropë: Si po e 'amplifikon' mbeturinat krizën klimatike dhe po i kushton miliona dollarë
Një raport i ri nga kompania ndërkombëtare Danfoss paralajmëron se varësia e ndërsjellë mes ujit dhe energjisë po bëhet një kërcënim serioz për ekonominë dhe klimën evropiane. Konsumi i energjisë në sektorin e ujit pritet të dyfishohet deri në vitin 2040, ndërsa kërkesa për ujë në sektorin e energjisë mund të rritet me gati 60 për qind.
Ekspertët theksojnë se humbja e ujit dhe përdorimi joefikas i energjisë po “përkeqësojnë krizën klimatike” dhe po dëmtojnë qëndrueshmërinë ekonomike.
Sipas raportit, joefikasitetet në sistemet e ujit dhe energjisë mund ta ulin Prodhimin e Brendshëm Bruto me deri në 8 për qind në vendet me të ardhura të larta dhe me deri në 15 për qind në ato me të ardhura të ulëta, deri në vitin 2050.
Në Evropë, kostoja e përballimit të krizës pritet të jetë e lartë. Shtetet anëtare të BE-së do të duhet të shpenzojnë midis 500 dhe 1,000 euro për person deri në vitin 2030, vetëm për të respektuar standardet aktuale të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve. Ndërkohë, sfidat e lidhura me ujin i kanë shtuar tashmë rreth 9.6 miliardë dollarë kostove të sektorit të energjisë në mbarë botën.
CEO i Danfoss, Kim Fausing, paralajmëron se “mënyra se si përdorim energjinë në sistemin tonë të ujit mbart rreziqe të mëdha për qëndrueshmërinë dhe konkurrueshmërinë.” Ai shton se rrjedhjet dhe humbjet e ujit të trajtuar përbëjnë një “sfidë ekonomike dhe sigurie” për kontinentin.
Raporti bën thirrje për masa urgjente, përfshirë:
• investime në teknologji të avancuara për zbulimin e rrjedhjeve dhe matësit inteligjent,
• rregullore ambicioze për efikasitetin e ujit,
• dhe integrimin e auditimeve të energjisë dhe ujit në politikat kombëtare.
Në të njëjtën kohë, qendrat e të dhënave janë përmendur si një ndër kontribuesit kryesorë në rritjen e konsumit të ujit. Aktualisht ato përdorin rreth 560 miliardë litra ujë në vit, shifër që pritet të dyfishohet deri në vitin 2030.
Megjithatë, raporti sugjeron se nxehtësia e tepërt që prodhojnë mund të ripërdoret për ngrohje, duke përmbushur deri në 10 për qind të kërkesës evropiane për energji termike.
Ekspertët theksojnë se Evropa nuk mund t’i trajtojë më sistemet e ujit dhe energjisë veçmas, pasi çdo krizë në njërin ndikon drejtpërdrejt në tjetrin. Zgjidhja, sipas tyre, qëndron në bashkërendimin e politikave të ujit, energjisë dhe klimës, për të shmangur pasoja ekonomike e mjedisore që tashmë janë në horizont.

