Cili është sekreti i shëndetit të tij? Jiro Ono, mjeshtri 100-vjeçar i sushi-t: Nuk ka ardhur ende koha për pension
Legjenda japoneze e sushit, Jiro Ono, ka mbajtur tre yje ”Michelin” për më shumë se një dekadë, duke u bërë shefi më i vjetër në botë që e ka arritur këtë, shkruan beaumontenterprise.com.
Ai u ka shërbyer figurave të shquara në të gjithë botën dhe arti i tij i sushit u shfaq edhe në një film.
“Pranoj të vazhdoj edhe për pesë vjet të tjera”, tha Ono muajin e kaluar, duke festuar “Ditën e Respektit për të Moshuarit” të Japonisë, me një dhuratë dhe një certifikatë pjesëmarrjeje.
Cili është sekreti i shëndetit të tij?
“Puna”, u përgjigj Ono kur u pyet nga guvernatorja e Tokios, Yuriko Koike, e cila e uroi për ditëlindjen.
“Nuk mund të vij më në restorant çdo ditë… por edhe në moshën 100 vjeç përpiqem të punoj sa herë që është e mundur. Besoj se ilaçi më i mirë është puna. Nuk ka ardhur ende koha për pension”, shton ai.
Ono, themeluesi i ”Sukiyabashi Jiro”, një bar i vogël sushi me 10 vende, në bodrumin e një ndërtese në lagjen moderne ”Ginza” të Tokios, mbushi sot 100 vjeç.

