Napoli mund Interin dhe merr kreun e Seria A
Napoli e lë pas krahëve humbjen turpëruese të pësuar nga PSV Eindhoven në Ligën e kampioneve përpara pak ditësh.
Skuadra e Antonio Contes reagoi shpejt ndaj asaj goditjeje të rëndë dhe këtë e bëri pikërisht në sfidën delikate me Interin të cilin e mposhti me rezultatin 3-1 duke marrë kështu edhe kreun e klasifikimit.
Napoli, skuadra kampione në fuqi e Italisë, e zhbllokoi rezultatin në minutën e 33 me një penallti të ekzekutuar saktë nga Kevin De Bruyne.
Pjesa e parë u mbyll me avantazhin 1-0 të napoletanëve, të cilët në fillimin e 45 minutave të dyta gjetën edhe golin e dytë, këtë radhë me McTominay.
Interi u kundërpërgjigj dhe 5 minuta më vonë shënoi me Calhanoglu duke shkurtuar diferencën në 2-1.
Por në minutën e 66, Anguissa i dha goditjen përfundimtare skuadrës së drejtuar nga Christian Chivu duke vulosur fitoren 3-1 të Napolit që tani është në kuotën e 18 pikëve, në krye të renditjes, 1 më shumë se Milan në vendin e dytë, ndërkohë që Interi e sheh veten në vendin e tretë.
