Washington Examiner - Kush është kreu i Antifës?
Nga Mia Cathell - Washington Examiner
Ndër vite, struktura e komandës së Antifës i ka shpëtuar zbulimit të organeve të rendit, duke ruajtur me kujdes imazhin e një lëvizjeje pa udhëheqës, të decentralizuar, pa një figurë të vetme që mbikëqyr forcat e saj.
Por një operativ i lidhur ngushtë me Antifën mund të jetë kreu i kësaj organizate të dyshimtë, drejtuesi i shumëkërkuar të cilin autoritetet federale po përpiqen ta demaskojnë.
Sipas dokumenteve gjyqësore, 57-vjeçari Daryle Lamont Jenkins, financues i Antifës, qëndron pas rrjetit Torch Network, një strukturë akreditimi e Antifës, përgjegjëse për njohjen e degëve të saj në të gjithë Shtetet e Bashkuara.
Degë të përfshira në rrjetin kombëtar Torch Network përfshijnë Antifa Sacramento, Rocky Mountain Antifa, Pacific Northwest Antifascist Workers Collective, Atlanta Antifascists dhe Rose City Antifa e Portland-it, celula më e vjetër e njohur e Antifës në vend. Që nga viti 2014, rrjeti Torch ka organizuar një konferencë të përvitshme që mbledh anëtarët e tij të akredituar në qytete të mëdha amerikane si Çikago, Filadelfia dhe Denver, për të hartuar strategjitë e përbashkëta.
Një padi federale e vitit 2020 kundër një anëtari të Antifës që kishte shpërndarë të dhëna personale zbuloi se Jenkins zotëronte dhe administronte faqen e internetit të rrjetit Torch Network, www.torchantifa.org, në atë kohë.
Gjatë procesit hetimor, Jenkins u përfaqësua nga avokatë të një organizate ndërkombëtare ndihme ligjore të Antifës dhe arriti të shmangte një urdhër gjykate për të dorëzuar të dhëna elektronike të lidhura me këtë rrjet kombëtar.
Jenkins u akuzua se kishte "shkatërruar informacione shumë të rëndësishme" duke ndryshuar emrin e domain-it të rrjetit Torch në www.torch-antifa.org dhe duke e bërë regjistrin e domain-it të faqes privat, në mënyrë që të mos shihej më publikisht pronari dhe regjistruesi i tij.
Në një video në YouTube, Jenkins pranoi se zotëronte adresat e faqes, por këmbënguli se nuk ishte ai në krye të rrjetit Torch. "Vetëm pse ne zotërojmë URL-të, nuk do të thotë asgjë," tha Jenkins. "Domethënë, po të isha pronar apartamentesh, kjo s'do të thoshte që jam pjesë e familjes."
Rrjeti Torch Antifa Network mohoi çdo lidhje të ngushtë me Jenkins-in.
"Zoti Jenkins nuk ka qenë kurrë anëtar i rrjetit Torch, pasi ne nuk kemi pasur kurrë një degë në zonën e tij," tha për Washington Examiner përfaqësuesi i rrjetit Torch Antifa. "Ne kishim nevojë për një webhost, dhe zoti Jenkins ofroi ndihmë. Kaq është marrëdhënia jonë."
Grupi shtoi se ndryshimi i domain-it kishte ndodhur për shkak të një "gabimi administrativ", që ishte rezultat i një vendimi "krejtësisht logjistik" për të regjistruar faqen me opsionin më të lirë financiarisht.
Në një video të vitit 2023, të ngarkuar nga organizata ndërkombëtare Antifa International, Jenkins falënderoi fondin e saj për mbrojtje ligjore për mbështetjen financiare gjatë procesit civil, duke thënë se ata "na ndihmuan dhe na dolën në krah."
"Dua të falënderoj International Anti-Fascist Defense Fund, që po na ndihmon në një situatë që, sipas meje, do të ndikojë tek të gjithë ne nëse nuk ia dalim," u tha Jenkins shikuesve.
Më pas ai u bëri thirrje ndjekësve të kontribuojnë për ta rimbushur fondin, i cili shërben si një arkë për qindra degë të Antifës në mbarë botën, përfshirë celula në SHBA.
Antifa International dhe Torch Network ruajnë lidhje të ngushta mes tyre, duke i rekomanduar njëra-tjetrës rekrutë dhe militantë të arrestuar që kanë nevojë për para për garanci, "zhvendosje urgjente", ndihmë ligjore për t'i "hequr akuzat krejtësisht", ose furnizime taktike.
Vetë Jenkins mbledh fonde për veprimtaritë e Antifës përmes një organizate bamirëse të përjashtuar nga taksat, të quajtur One People's Project.
Ai është themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i kësaj organizate jofitimprurëse të regjistruar në Nju Xhersi si 501(c)(3), e cila mbledh donacione përmes Venmo, CashApp, Patreon, çeqeve dhe urdhrave të pagesës, duke ofruar mbështetje materiale për kauzën antifashiste.
One People's Project, kontaktet e pagesës së së cilës janë në adresën [email protected], nuk i publikon donatorët apo përfituesit në deklaratat tatimore, duke pretenduar se fiton më pak se 50,000 dollarë në vit, kufiri që detyron organizatat bamirëse të raportojnë të ardhurat vjetore.
Dyqani online i organizatës shet gjithashtu "produkte antifashiste" si karta, pulla dhe bluza me tematikë të antifës, të ardhurat nga të cilat shkojnë drejtpërdrejt për Philly Antifa.
Jenkins, një figurë e njohur në qarqet e Antifës, ka tërhequr vëmendjen e mediave për aktivizmin e tij antifashist. Revista Slate e ka cilësuar Jenkins si "fytyrën publike të Antifës", ndërsa Vox e ka quajtur "zëdhënësin vetëshpallur të Antifës."
Kur u pyet nëse e pranon këtë etiketë, Jenkins tha: "Absolutisht. Unë qëndroj me krenari me Antifën dhe kam qenë gjithmonë me Antifën, edhe para se njerëzit të dinin çfarë do të thoshte ajo."
Rachel Maddow e MSNBC-së e ka intervistuar Jenkins-in për punën e tij në "zbulimin e udhëheqësve të së djathtës raciste." Mbështetësit e Antifës e kanë quajtur "pionierin e doxxing-ut", ndërsa revista Wired e ka përshkruar si "gurunë e doxxing-ut antifashist."
E themeluar nga Jenkins në vitin 2000, One People's Project e përshkruan veten si "një burim për ata që janë në vijën e parë të luftës kundër fashizmit."
Baza e saj e të dhënave Rogues Gallery përmban një listë alfabetike me informacione private, përfshirë adresat e shtëpive dhe numrat personalë të telefonit, të personave që organizata i cilëson si figura "të së djathtës ekstreme", si Sean Hannity (Fox News), gazetari investigativ James O'Keefe, komentatorja konservatore Ann Coulter dhe ish-avokati i Trump-it Rudy Giuliani.
"Aya janë fundërrinat e Tokës," thuhet në faqen e One People's Project. Slogani i saj është: "Uria ka pasoja".
The Washington Examiner kontaktoi Jenkins-in dhe One People's Project për koment./ Washington Examiner - Syri.net/



