Revista "Time" publikon një foto kopertine më të volitshme të Trump-it

Revista Time ka publikuar një foto më të volitshme të Donald Trump-it në kopertinë, pasi presidenti amerikan ishte ankuar për portretin e tij "shumë të keq" në numrin e mëparshëm të revistës.

Në botimin më të fundit, Trump shfaqet ulur në Zyrën Ovale, me kravatën e tij të kuqe karakteristike, duke parë drejt kamerës, me bërrylat e mbështetur mbi tavolinën "Resolute".

Në numrin e kaluar, presidenti ishte fotografuar nga një kënd i ulët, me diellin që ndriçonte nga pas dhe qafën të tërhequr brenda këmishës.

Trump u tall në internet për foton, të cilën ai e quajti "më të keqen e të gjitha kohërave."

Duke folur për fotografinë e parë, Trump tha: "Ata më 'zhdukën' flokët dhe më pas vendosën diçka që dukej si një kurorë lundruese mbi kokën time, por jashtëzakonisht e vogël.

"Shumë e çuditshme! Nuk më ka pëlqyer kurrë të fotografohem nga kënde poshtë, por kjo është një foto super e keqe dhe meriton të kritikohet. Çfarë po bëjnë, dhe pse?"

Nga ana tjetër, portreti më i fundit është në nivel me sytë e presidentit, i cili duket se ka vendosur duart mbi qafë në mënyrë strategjike.

Fotografi Graham Sloan, që kishte realizuar foton e mëparshme, nuk u ftua për sesionin e ri fotografik, i cili u krye nga Stephen Voss, një bashkëpunëtor i vjetër i Time për më shumë se një dekadë.

Kur Trump u shpall "Njeriu i Vitit" nga Time në vitin 2016, revista u përball me polemika pasi kritikët pretenduan se pozicioni i shkronjës "M" prapa kokës së tij ishte bërë qëllimisht për t'u dukur si brirët e djallit.

Revista e mohoi këtë pretendim, duke theksuar se e njëjta gjë kishte ndodhur edhe në kopertina të tjera që kishin paraqitur presidentë si republikanë, ashtu edhe demokratë.

Trump, një ish-yll i reality TV, është i njohur për kujdesin e madh që i kushton imazhit të tij publik. Në qershor ai zëvendësoi portretin e tij zyrtar të Shtëpisë së Bardhë me një version më pak kërcënues, vetëm disa muaj pasi ishte publikuar i pari.

Fotoja origjinale, e publikuar pak para inaugurimit të republikanit në janar, e tregonte atë me një shprehje serioze, duke parë drejt kamerës.

Ajo u krahasua me foton e regjistrimit policor të Trump-it, e bërë pas dorëzimit të tij tek autoritetet në Xhorxhia, pas akuzave për veprimtari kriminale në vitin 2023.

Nga ana tjetër, fotografia e dytë e paraqiti Trump-in në një dritë më të ngrohtë dhe me një shprehje më të butë.

Ai gjithashtu ka kërkuar heqjen e një pikture në Kapitolin e Kolorados, për të cilën ai tha që ishte "shtrembëruar qëllimisht" nga artistja britanike Sarah Boardman./ The Telegraph - Syri.net/