MASHTRIM GLOBAL ME KRIPTOMONEDHA/ Departamenti Amerikan i Drejtësisë akuzon Chen Zhi, 37 vjeç
Një 37 vjeçar akuzohet nga instituciinet e drejtësisë amerikane si kreu i një perandorie mashtrimi me kriptomonedha që ka vjedhur miliarda dollarë në mbarë botën. Autoritetet ndërkombëtare dhe Kina po hetojnë kompaninë për skema mashtrimi online dhe burime të paqarta të pasurisë së tij.
Një 37 vjeçar akuzohet nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë si truri i një perandorie të madhe mashtrimi kibernetik me kriptomonedha.
Sipas autoritetit të drejtësisë Chen Zhi ka drejtuar një grup mashtrimesh në Kamboxhia, i cili ka vjedhur miliarda dollarë nga viktima në mbarë botën.
Deri më tani nga hetimet e bëra, Departamenti Amerikan i Thesarit ka konfiskuar rreth 14 miliardë dollarë bitcoin, sekuestrimi më i madh i kriptomonedhave ndonjëherë.
Chen u rrit në provincën Fujian në Kinën juglindore, dhe nisi me një kompani të vogël të lojërave të fatit në internet, para se të zhvendosej në Kamboxhia në fund të vitit 2010 ose 2011, ku filloi të punonte në sektorin e pasurive të paluajtshme që në atë kohë ishte në lulëzim.

Në vitin 2014 ai u bë shtetas kamboxhian, duke hequr dorë nga shtetësia kineze. Kjo i mundësoi atij të blinte tokë në emrin e tij, me para të cilat tha se i siguroi nga xhaxhai i tij, por nuk u dhanë kurrë prova për këtë.
Më pas hapi kompaninë e tij, gjithashtu më para të paqarta sa i përket burimit.
Kjo e fundit e quajtur Cambodian Prince Group, e përshkruan Chen Zhi-n si një sipërmarrës të respektuar dhe filantrop të njohur, dhe thotë se vizioni i tij e ka bërë kompaninë një nga bizneset kryesore në Kamboxhia.
Qeveria atje ka thënë pak, dhe u ka bërë thirrje autoriteteve amerikane dhe britanike që të sigurohen që kanë prova të mjaftueshme për akuzat e tyre.
Edhe Kina e ka hetuar në heshtje Grupin Prince që të paktën nga viti 2020. Ka pasur një numër çështjesh gjyqësore që e akuzojnë kompaninë për drejtimin e skemave të mashtrimit online.

