Meta shkurton 600 vende pune në divizionin e inteligjencës artificiale
Kompania mëmë e Facebook dhe Instagram, Meta, ka njoftuar se do të shkurtojë rreth 600 vende pune në divizionin e saj të inteligjencës artificiale (IA), pavarësisht se vazhdon të zgjerojë laboratorin e saj të superinteligjencës.
Lajmi u konfirmua të mërkurën nga vetë kompania dhe u raportua fillimisht nga Axios.
Sipas raportimeve, shkurtimet do të prekin njësinë e Kërkimit Themelor të IA-së (FAIR), si dhe disa struktura të tjera që merren me infrastrukturën dhe produktet e IA-së.
Megjithatë, njësia më e re TBD Lab nuk do të ndikohet nga vendimi.
Në një memo të brendshme, drejtori i inteligjencës artificiale Alexandr Wang i inkurajoi punonjësit e prekur të aplikojnë për pozicione të tjera brenda kompanisë, duke theksuar se shumica mund të gjejnë role të reja në Meta.
“Duke zvogëluar madhësinë e ekipit tonë, do të kërkohen më pak biseda për të marrë një vendim, dhe secili person do të ketë më shumë fushëveprim dhe ndikim,” shkroi Wang, sipas Axios.
Meta theksoi se pavarësisht shkurtimit të stafit në disa njësi, rekrutimet për TBD Lab vazhdojnë, pasi kjo strukturë po zhvillon modelet më të fundit të gjuhëve të mëdha (LLM) – teknologji që fuqizon platforma si ChatGPT i OpenAI, Gemini i Google dhe Llama e Meta-s.
Kompania me bazë në Kaliforni ka zgjedhur një qasje të hapur ndaj IA-së, duke ofruar sistemin e saj Llama si një produkt gjysmë me burim të hapur, që mund të përdoret dhe modifikohet nga zhvillues të pavarur.
Sipas Meta-s, më shumë se një miliard njerëz përdorin produktet e saj të inteligjencës artificiale çdo muaj, megjithatë ekspertët vlerësojnë se ajo mbetet pas konkurrentëve kryesorë si OpenAI dhe Google në përfshirjen e modeleve gjuhësore të avancuara në produktet e konsumatorëve.
