Policia gjermane q*llon gabimisht një ushtar gjatë një stërvitje

Një ushtar u qëllua nga policia gjatë një stërvitjeje në shkallë të gjerë të Bundeswehr-it, forcave të armatosura të Gjermanisë, në qytetin jugor bavarez të Erding, thanë zyrtarët gjermanë të mërkurën.

Një zëdhënës i Komandës Operacionale të Bundeswehr-it i tha medias gjermane, se një keqkuptim kishte çuar në një të shtënë midis trupave që merrnin pjesë në stërvitje dhe policisë që ishte thirrur nga banorët vendas.

Stërvitjet po zhvillohen në hapësira publike në një dhjetëra qytetesh dhe qytezash bavareze në veri të Mynihut, përfshirë Erding.

Policia bavareze tha se po i përgjigjej raporteve për një burrë që mbante një armë dhe kishte vendosur njësi të shumta në juglindje të Erding, përfshirë një helikopter, herët të mërkurën në mbrëmje.

Sipas të përditshmes gjermane Bild, policia ushtarake qëlloi me municione stërvitjeje ndaj oficerëve të policisë që mbërritën, duke besuar se kjo ishte pjesë e stërvitjes ushtarake.

"Për shkak të një keqinterpretimi në vendngjarje, pati të shtëna. Më vonë doli që personi që mbante një armë ishte një anëtar i forcave të armatosura gjermane, i cili ishte në vendngjarje si pjesë e një stërvitjeje", tha policia bavareze në një deklaratë.