PRISHET RAPORTI BIDEN - OBAMA! Dy ish-presidentët nuk përshëndeten në restorant

Ftohen marrëdhëniet mes Joe Biden dhe Barack Obama. Të dy ish-presidentët amerikanë nuk u përshëndetën në restorantin e famshëm në Uashington, Café Milano. Mediat shkruajnë se tensionet mes tyre janë për shkak të këshillës që Obama i dha Biden për t’u tërhequr nga gara presidenciale në 2024-ën përballë Donald Trump

Një episod i pazakontë në skenën politike amerikane ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në “Café Milano”, restorantin më të famshëm italian në Uashington.

Në të njëjtën sallë u gjendën dy ish-presidentët amerikanë Joe Biden dhe Barack Obama, por ndryshe nga ç’pritej, ata nuk u përshëndetën njëri-tjetrin.

Mediat shkruajnë se shkak i tensioneve mes tyre, sipas burime nga Partia Demokratike lidhet me rolin që Obama pati në nxitjen e tërheqjes së Biden nga gara presidenciale në vitin 2024, pas debatit të dështuar televiziv me Donald Trump.

Një vendim që, sipas analistëve, ka lënë gjurmë në marrëdhënien personale dhe politike të dy ish-aleatëve të ngushtë.

Sipas artikujve te publikuar Biden mbërriti i pari dhe u ul në tavolinën prestigjioze numër 100, i shoqëruar nga ish-senatori demokrat Mark Pryor.

Ai u prit ngrohtësisht nga klientët e pranishëm. Pak më vonë hyri edhe Barack Obama, i cili mori gjithashtu përshëndetje nga të ftuarit e tjerë, por mes dy udhëheqësve demokratë nuk pati asnjë kontakt një gjest që dëshmon për ftohjen e marrëdhënieve mes tyre.

Në mjedisin e njohur për mikpritjen e elitës amerikane, atë mbrëmje ishin të pranishëm edhe tre ministra të administratës Trump.

Restoranti Café Milano, i hapur në vitin 1992 nga sipërmarrësi italian Franco Nuschese, është prej dekadash pika e takimit të fuqisë politike në Uashington vendi ku, siç thonë gazetarët, “republikanët dhe demokratët ndajnë të njëjtën tavolinë, pa u zënë”.

Por këtë herë, heshtja mes Biden dhe Obama duket se flet më shumë se çdo debat politik.