A janë jetikë satelitët spiunë kinezë për inteligjencën e dobësuar hapësinore të Rusisë?
Në fillim të këtij muaji, njësitë e mbrojtjes ajrore në qytetin Lviv në perëndim të Ukrainës, kishin jashtëzakonisht shumë punë gjatë bombardimeve të natës me raketa dhe dronë nga Rusia.
Rreth 700 kilometra mbi to po kalonin në heshtje satelitë spiunë kinezë, sipas inteligjencës ukrainase.
Kremlini e ka mohuar se Kina po i jep të dhëna për fushën e betejës, duke thënë se i ka satelitët e vet. Megjithatë, ekspertët thonë se, në fakt, Rusia ka shumë nevojë për ndihmën kineze.
“Infrastruktura e Rusisë është mjaft e vjetër dhe e dobët,” tha Clayton Swope, i cili ka kaluar 14 vjet në Agjencinë amerikane të Inteligjencës (CIA), kryesisht në Drejtorinë e Shkencës dhe Teknologjisë.
“Duket si një gjë e vetëkuptueshme që, nëse Kina është e gatshme t’i ofrojë diçka, qoftë nga ndonjë kompani apo nga kapacitetet e veta shtetërore, Rusia do ta shfrytëzojë atë”, tha për Radion Evropa e Lirë Swope nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), me bazë në Uashington.
Kapacitetet e satelitëve spiunë të Kinës
Duke pasur parasysh natyrën e klasifikuar të këtyre të dhënave, është e vështirë të dihet saktësisht sa satelitë spiunë ka çdo shtet.
Një raport i publikuar nga Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes së SHBA-së në vitin 2022, me titull: Sfida për Sigurinë në Hapësirë, vlerësonte se Kina kishte 262 satelitë për ISR (inteligjencë, mbikëqyrje dhe zbulim), krahasuar me 32 të Rusisë.
“Rusia, në fakt, filloi të blinte imazhe satelitore tregtare në tregun e lirë në prill të vitit 2022”, tha për REL-in Juliana Suess nga Instituti Gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë (SWP).
“Kjo na tregon se Rusia e kuptoi që kjo është diçka që do t’i duhej. Dhe, gjithashtu tregon se kapacitetet e saj sovrane nuk mjaftonin për ta mbushur atë boshllëk”, theksoi ajo.
Ka hendek edhe në cilësi gjithashtu, kryesisht për shkak të flotës së vjetruar të satelitëve rusë. Disa prej tyre datojnë që nga koha e Bashkimit Sovjetik, por ka pasur edhe lëshime më të reja, përfshirë që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vPor, edhe satelitët më të rinj rusë janë ndikuar nga sanksionet perëndimore të kohës së luftës.
“Kjo është padyshim diçka me të cilën po përballen, se ku i sigurojnë komponentët. Satelitët rusë historikisht janë prodhuar nga pjesë perëndimore”, tha Suess.
Çfarë dëshiron Kina?
Megjithatë, mbetet e paqartë se sa të dhëna, nëse ka, Kina po ia dërgon realisht Rusisë. Zyrtarët perëndimorë janë përmbajtur nga akuza të drejtpërdrejta publike mbi këtë çështje.
“Kina është mundësuesi vendimtar i luftës së Rusisë në Ukrainë. Ajo gjithashtu furnizon pothuajse 80 për qind të artikujve me përdorim të dyfishtë që Rusia ka nevojë për të vazhduar luftën”, tha një zyrtar i Departamentit të Shtetit për REL-in.
“Bashkëpunimi i vazhdueshëm midis këtyre dy vendeve do të kontribuojë më tej në paqëndrueshmërinë globale dhe do t’i bëjë Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera më pak të sigurta”, shtoi zyrtari.
Në një intervistë për Current Time të REL-in, Komisionari i Bashkimit Evropian për Mbrojtjen dhe Hapësirën, Andrius Kubilius, ishte i kujdesshëm në përgjigje.
“Cili është qëndrimi i Kinës për tërë këtë luftë? Ne mund të hamendësojmë. Duket se ata janë të prirë ta mbajnë këtë luftë sa më gjatë që të jetë e mundur, të mësojnë prej saj dhe të mbështesin, në një mënyrë a tjetër, palën ruse”, tha ai.
Swope theksoi se dihet shumë pak për satelitët specifikë, Yaogan, që raportohet se kanë spiunuar mbi Ukrainë. Tre prej tyre, tha ai, ishin të pajisur me radarë SA, shkruan REL.
“Mendoj se pyetja e madhe është… a po ofrojnë ata vetëm të dhëna strategjike apo edhe taktike për atë që po ndodh në fushën e betejës? Apo këto sisteme janë ndoshta të lidhura me mënyrën se si drejtohet një raketë?” theksoi ai.


