Sllovakia tërheq veton/ Nesër pritet miratimi i sanksioneve të reja të BE ndaj Rusisë
Sllovakia ka vendosur të tërheqë veton ndaj paketës së 19-të të sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë, duke i hapur rrugën miratimit të masave të reja kufizuese.
Sipas burimeve diplomatike, është nisur një procedurë me shkrim dhe nëse nuk ka kundërshtime, paketa pritet të miratohet zyrtarisht ditën e nesërme, 23 tetor deri në orën 08:00.
Paketa e re e sanksioneve synon të godasë burimet kryesore të të ardhurave të Kremlinit, përmes kufizimeve të reja në sektorët energjetik, financiar dhe tregtar.
Masa të tilla përfshijnë ndalime të reja për eksportet dhe importet strategjike, si dhe kufizime ndaj individëve dhe entiteteve që konsiderohen të lidhura me agresionin rus në Ukrainë.
Bashkimi Evropian ka miratuar tashmë 18 raunde sanksionesh që nga fillimi i agresionit rus ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Këto masa kanë për qëllim të ushtrojnë presion ekonomik dhe politik ndaj Moskës për të ndalur luftën dhe për të respektuar të drejtën ndërkombëtare.
Tërheqja e vetos nga Sllovakia vjen në një moment të ndjeshëm diplomatik, pasi disa vende anëtare kanë shprehur shqetësime për unitetin e brendshëm të BE-së përballë sfidave të sigurisë në kontinent.
