OpenAI, kush e kontrollon realisht? Rrjeti miliardash i marrëveshjeve, borxheve dhe aleancave të Sam Altman
Kush e kontrollon vërtet OpenAI-n? Startup-i më i vlefshëm në botë, tashmë me një vlerësim tregu prej rreth 500 miliardë dollarësh, është themeluar me qëllimin për të zhvilluar një inteligjencë artificiale të përgjithshme (AGI) “në shërbim të njerëzimit”. Por pas marrëveshjeve miliardëshe me AMD, Nvidia, Oracle dhe Microsoft, pyetja mbi pronësinë dhe drejtimin e kompanisë është bërë më aktuale se kurrë.
Sipas një analize të Corriere della Sera, OpenAI, e themeluar në vitin 2015 nga Sam Altman, Elon Musk dhe investitorë të tjerë të Silicon Valley, nisi si organizatë jofitimprurëse.
Sot, pas suksesit global të ChatGPT, ajo ka transformuar të gjithë industrinë teknologjike, duke nxitur një garë botërore për dominim në fushën e inteligjencës artificiale. Por struktura e saj e brendshme financiare dhe marrëdhëniet me gjigantët industrialë zbulojnë një realitet shumë më kompleks.
Një strukturë hibride midis jofitimprurjes dhe fitimit
Aktualisht, OpenAI është ndërtuar mbi dy nivele:
-OpenAI Inc., fondacioni jofitimprurës që zotëron kontrollin ligjor dhe cakton bordin drejtues;
-OpenAI Global LLC, degë komerciale që menaxhon aktivitetet fitimprurëse.
Edhe pse në letër kontrolli mbetet te fondacioni, kapitali i kompanisë tregon një tjetër histori:
-Microsoft zotëron rreth 28%,
-Fondacioni jofitimprurës 27%,
-Punonjësit rreth 25%,
-Pjesa tjetër ndahet mes fondeve investuese globale.
Microsoft, megjithëse investitori më i madh (me mbi 13 miliardë dollarë të investuar), nuk ka më asnjë vend në bordin drejtues të OpenAI. Kompania e Satya Nadella-s thekson se partneriteti mbetet “i fortë dhe afatgjatë”, por pa kontroll pronësor.
Një rrjet marrëveshjesh që përfshin gjithë ekosistemin teknologjik
Për të mbajtur në këmbë rritjen e jashtëzakonshme të ChatGPT që numëron mbi 700 milionë përdorues aktivë në javë, OpenAI po investon në mënyrë masive në infrastrukturë teknologjike: çipë, qendra të të dhënave, energji dhe cloud computing.
Sipas Corriere della Sera, kompania ka nënshkruar kontrata që kalojnë 1 mijë miliardë dollarë, përfshirë:
• një marrëveshje me AMD për blerjen e procesorëve që gjenerojnë 6 gigavat energji kompjuterike,
• një partneritet me Nvidia që përfshin investime të drejtpërdrejta deri në 100 miliardë dollarë,
• bashkëpunime me Oracle për ndërtimin e qendrave të të dhënave,
• dhe financime strategjike nga SoftBank.
Në këmbim, këto kompani sigurojnë të ardhura të garantuara për dekada dhe hyrje në tregje të reja.
“Është koha të investojmë agresivisht në infrastrukturë”, tha Altman. “Për ta bërë këtë, na duhet mbështetja e gjithë sektorit.”
Rrjeti i ndërlidhjeve dhe varësive
Rrjeti i partneriteteve të OpenAI është i gjerë dhe i ndërlikuar:
• Nvidia ka pjesë në CoreWeave, një kompani e qendrave të të dhënave ku është aksionare edhe vetë OpenAI;
• Microsoft ka investuar shumë në OpenAI, por njëkohësisht bashkëpunon me konkurrentë si kompania franceze Mistral;
• OpenAI bashkëpunon edhe me Google Cloud për ofrimin e modeleve të saj gjuhësore dhe me Apple për integrimin e teknologjisë në Siri.
Borxhe dhe financime rekord
Pavarësisht vlerësimit të lartë, OpenAI vazhdon të ketë humbje të mëdha. Deri në fund të vitit 2025, pritet që të arrijë të ardhura mes 12 dhe 20 miliardë dollarësh, por kompania do të mbetet e ekspozuar ndaj borxhit dhe kostove të larta operative.
Ajo ka marrë 4 miliardë dollarë hua bankare dhe 47 miliardë dollarë nga investitorë të kapitalit sipërmarrës. Analistët paralajmërojnë se rritja e industrisë mund të jetë më shumë e nxitur nga financimet sesa nga kërkesa reale e tregut, një situatë që kujton flluskën e dot-com-ve të viteve ‘90.
Sam Altman, megjithatë, mbetet i qetë “Fitimi nuk është ndër dhjetë shqetësimet e mia kryesore. Një ditë do të jemi shumë fitimprurës, por kemi durimin dhe besimin për ta arritur.”
Një çështje tashmë edhe gjeopolitike
Kontrolli i GPU-ve dhe i energjisë që furnizon qendrat e të dhënave është kthyer në një betejë gjeopolitike midis SHBA-ve dhe Kinës.
Pekini ka avantazh në prodhimin e energjisë së rinovueshme, ndërsa Uashingtoni dominon teknologjinë e çipeve. Projekti amerikan Stargate, me vlerë 500 miliardë dollarë, synon të mbështesë infrastrukturën teknologjike që fuqizon edhe OpenAI.
Sipas investitorit italian Matteo Manfredi, një nga aksionarët e parë përmes Gestio Capital, “OpenAI nuk është më një startup, por një aset strategjik kombëtar. Inteligjenca artificiale është bërë tashmë çështje gjeopolitike. Kërkesa për GPU dhe energji është më e madhe se oferta, dhe kjo e bën kompaninë thelbësore për ekuilibrat globalë.”
Pra, kush e zotëron OpenAI-n?
Zyrtarisht, kontrolli i takon fondacionit jofitimprurës OpenAI Inc.
Në praktikë, megjithatë, kompania është e varur nga një ekosistem i ndërlikuar partnerësh industrialë, fonde investimi dhe institucione shtetërore.
Siç përfundon Corriere della Sera, “OpenAI nuk është më e ‘dikujt’ të vetëm, por e të gjithëve që kanë vënë bast mbi suksesin e saj.”
