Tortura në kampin Sde Teiman? Gazeta britanike: 135 palestinezë me shenja të tmerrshme në trup…
Sipas raportimeve të The Guardian, të paktën 135 nga trupat e palestinezëve që janë kthyer nga Izraeli në Rripin e Gazës pas hyrjes në fuqi të armëpushimit, vinin nga kampi i arrestimeve Sde Teiman, një qendër paraburgimi në shkretëtirën Negev.
Këtë e bëri të ditur Munir Al-Bursh, drejtor i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, si dhe një zëdhënës i spitalit Nasser në Khan Younis, ku po ekzaminohen mbetjet.
“Etiketat brenda çantave ku ishin futur trupat janë shkruar në hebraisht dhe tregojnë qartë se mbetjet janë ruajtur në Sde Teiman”, tha Bursh për The Guardian. “Etiketat gjithashtu tregojnë se për disa prej tyre janë kryer teste ADN-je atje.”
Kampi Sde Teiman, i cili mbikëqyret nga ushtria izraelite dhe është i rezervuar për të burgosurit nga Gaza, është akuzuar shpesh për tortura.
Në qershor 2024, një punonjës mjekësor izraelit i tha Le Monde se qindra të burgosur detyrohen të qëndrojnë në gjunjë për orë të tëra, lidhur dhe me sy të mbuluar.
Ushtarakët izraelitë i thanë gazetës Haaretz se po zhvillonin hetime penale për vdekjen e 48 palestinezëve nga Gaza, përfshirë 36 në Sde Teiman, hetim që vazhdon ende, sipas The Guardian.
Në 2024-ën, një hetim i UNRWA, agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë, i mbështetur më pas nga dëshmi të publikuara nga The New York Times, raportoi gjithashtu raste dhune dhe përdhunimesh në Sde Teiman.
Mjekët në Khan Younis, të intervistuar nga The Guardian, tregojnë se ekzaminimi i trupave të kthyer tregon “ekzekutime makabre dhe tortura sistematike ndaj shumë palestinezëve”.
Ata raportojnë gjithashtu për plagë të shkaktuara nga armët e zjarrit apo trupa të shtypur nga shinat e tankeve izraelite.
“Shenjat e torturës mbi trupat e palestinezëve të kthyer nga Izraeli janë të tmerrshme, por fatkeqësisht jo të papritura”, tha Naji Abbas, drejtor i Departamentit për të Burgosurit dhe të Dënuarit pranë Physicians for Human Rights Israel.
Ai shtoi se këto gjetje konfirmojnë raportet e mëparshme të organizatës për kushtet e paraburgimit në kampin Sde Teiman, ku palestinezët sipas tij “janë torturuar dhe vrarë sistematikisht nga ushtarë dhe roje të burgjeve”.
Megjithatë, nuk ka prova që të tregojnë nëse torturat kanë ndodhur vërtet në Sde Teiman.
Ushtria izraelite tha për The Guardian se kishte kërkuar nga Shërbimi i Burgjeve të hapte një hetim, por refuzoi të komentonte për akuzat se trupat e palestinezëve vinin nga Sde Teiman.
